Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese takohet me shefin e EULEX-it, flasin për sundimin e ligjit në Kosovë

Prishtinë | 14 Pri 2022 | 16:39 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gresa Caka, ka pritur sot në takim shefin e Misionit të EULEX-it në Kosovës, Lars Gunnar Wigemark.

Përmes një komunikate për media, tregohet se Caka e ka e njoftuar shefin e EULEX-it me punën e deritanishme të Gjykatës, shkruan lajmi.net.

“Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani priti në takim shefin e Misionit të EULEX-it në Kosovë, z. Lars – Gunnar Wigemark. Pasi që e njoftoi z. Wigemark me punën e deritanishme të institucionit që udhëheq, me angazhimet për rritjen e efikasitetit në trajtimin e lëndëve dhe përmirësimin e komunikimit me publikun, kryetarja Caka – Nimani shprehu falënderimin e saj për mbështetjen që misioni i EULEX-it i ka ofruar Gjykatës Kushtetuese gjatë dekadës së parë të funksionimit, nëpërmjet përkrahjes financiare të gjyqtarëve dhe këshilltarëve ndërkombëtarë të saj”, thuhet në komunikatë.

Tutje, tregohet se Wigemark ka konfirmuar edhe më tej mbështetjen e EULEX-it për Gjykatën Kushtetuese.

“Nga ana e tij, z. Wigemark konfirmoi se mbështetja e misionit të EULEX-it për Gjykatën Kushtetuese dhe rrjedhimisht për sundimin e ligjit në Kosovë nuk do të mungojë as në të ardhmen”, përfundohet në komunikatë.

Të ngjashme