Për shkak të mungesës së kryetares së trupit gjykues, Raima Elezi, ka dështuar të mbahet seanca e së premtes ndaj të akuzuarit për korrupsion, Besnik Krasniqi.
Në këtë rast, Besnik Krasniqi akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi, si kryetar i Komisionit Komunal të Aksionarëve në KRM “Eko Regjioni” kishte shkarkuar Bujar Dakajn dhe më pas, më 20 qershor 2022, kishte emëruar përkohësisht Liridon Sallaukën në një pozitë publike. Sipas Prokurorisë, Sallauka kishte shërbyer më parë si sekretar i përgjithshëm i AAK-së në Prizren.
Seanca u shty për një datë tjetër, pasi kryetarja e trupit gjykues, Elezi, ndodhej në mbledhjen e radhës të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 korrik 2023, ka ngritur aktakuzë ndaj Besnik Krasniqit se më 20 qershor 2022, në cilësinë e personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit Komunal të Aksionarëve KRM “Eko- Regjioni”, në Prizren në kundërshtim me nenin 17 parag.2 pika K të Ligjit nr.03/L-87 për Ndërmarrjet Publike dhe duke i vë në lajthim faktik dy anëtarët tjerë të Komisionit, ka nxjerrë vendim, me të cilin e ka emëruar përkohësisht Liridon Sallaukën, Kryesues të Bordit të Drejtorëve pranë “Eko Regjionit” në Prizren.
Aktakuza thotë se Sallauka ishte i emëruar politik, përkatësisht ka punuar si Sekretar i Përgjithshëm i AAK-dega në Prizren dhe në këtë mënyrë me vendimin e marrë ishte dëmtuar Bujar Dakaj, duke e shkarkuar nga pozita e Kryesuesit të Bordit.
Për këto veprime, Krasniqi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragraf 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.