Marrëdhëniet mes presidentit, Hashim Thaçi e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti po shkojnë vetëm duke u acaruar, tash kur brenda tri ditëve pritet të publikohet vendimi i Kushtetuesës për dekretin e mandatarit.
Derisa të dy palët kanë hedhur kritika të ashpra karshi njëri -tjetrit, në Lëvizjen Vetëvendosje në këtë situatë thonë që kryekëput fajtor është presidenti Thaçi.
Taluant Kryeziu nga Vetëvendosje në emisionin Frontal në T7 ka thënë që presidenti nuk ka kompetenca për hapat që po tenton ti marrë.
“Për bese me qenë një njeri që i ke fitu dy palë zgjedhje rresht edhe me quajt bandë më shumë po tregon gjendjen e presidentit se sa shefit të qeverisë. Ai ka rol statik karshi zhvillimeve politike, ai është fut në betejën politike mirëpo beteja politike është në zgjedhje”, ka thënë Kryeziu.
Tutje, Kryeziu thekson që është një mënyrë në të cilën Thaçi mund të sfidojë Kurtin.
Sipas tij Thaci duhet ta lërë presidencën e të futet në garë zgjedhore.
“E vetmja rrugë për ta sfiduar Kurtin është ta lë presidencën e ti futet zgjedhjeve. Albin Kurti është i pa konkurrencë për një kohë të gjatë. Ka më shumë vota se z. Thaçi në kulmin e tij si kryeministër”, ka shtuar Kryeziu në Frontal.
Më tej Kryeziu ka përsëritur edhe një herë kërkesën që ka Lëvizja Vetëvendosje, siç thotë ai, zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje në këtë kohë.
“Ne presim që sa më parë kjo çështje të përfundoj, jemi në hapat e fundit të pandemisë pasi është zvogëluar numri që të gjendet një datë e përshtatshme që ti drejtohemi kutive të votimit”, ka thënë Kryeziu.