Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Qëndrim Kryeziu, ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve për zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke theksuar përkushtimin e tij për t’i shërbyer vendit dhe ekonomisë së Kosovës.
Kryeziu ka bërë të ditur se garon me numër 103 në listën e PDK-së, e cila mban numrin 130, duke kërkuar mirëkuptim nga qytetarët që nuk po arrin t’i kontaktojë të gjithë gjatë fushatës.
“Kërkoj nga ju mirëkuptim dhe falje të sinqertë që e kam të pamundur të kontaktoj me të gjithë ju pa përjashtim në këtë fushatë elektorale”, ka shkruar ai, duke shtuar se kësaj sfide i ka hyrë “me besim, përkushtim dhe angazhim maksimal në shërbim të atdheut dhe qytetarëve”.
Kryeziu ka folur edhe për rrugëtimin e tij jetësor dhe profesional, duke theksuar lidhjen e fortë me Kosovën, pavarësisht faktit se shumica e familjes së tij jeton në diasporë.
“Kam pasur shumë herë rastin që edhe vetë të largohem nga vendi i të parëve tanë, por kurrë nuk e kam imagjinuar këtë opsion”, ka theksuar ai, duke shtuar se do të mbetet besnik ndaj vlerave me të cilat është rritur.
Ai ka përmendur angazhimin e hershëm në punë dhe sipërmarrje, duke theksuar se që në moshë të re ka ndërtuar një rrugë të pavarësisë ekonomike dhe biznesit, që sot shtrihet brenda dhe jashtë Kosovës.
“Rruga ime deri këtu nuk ka qenë e lehtë, por zelli, energjia dhe përkushtimi më kanë mësuar se nuk ka sfidë që nuk tejkalohet”, ka deklaruar Kryeziu.
Kandidati i PDK-së është zotuar se si deputet do të udhëhiqet vetëm nga ligji dhe interesat e qytetarëve.
“Zotohem para jush se ligji dhe asgjë tjetër do të jetë kodi i vetëm i sjelljes sime politike. Kërkoj mbështetjen tuaj që të shndërrohem në zërin e çdo biznesi dhe punëtori në Kosovë”, ka përfunduar ai, duke ftuar qytetarët të votojnë PDK-në me numër 130 dhe kandidatin me numër 103 në zgjedhjet e 28 dhjetorit.