Njohësi i çështjeve politike Taulant Kryeziu, thekson se ka afërsi mes subjekteve politike LDK – LVV për të ndërtuar një koalicion të mundshëm parazgjedhor, bashkëpunim ky i cili sipas tij do të prodhonte qeveri stabile.
Një koalicion i tillë sipas Kryeziut, me numra të mjaftushëm brenda Kuvendit të Kosovës do të shtynte përpara tema të rëndësishme të vendit.
“Unë shoh një afërsi ne mes te Vetëvendosjes dhe LDK-së, këto dy subjekte, që një kohë kanë një qasje të përafërt sa i përket dialogut me Serbinë, sa i përket ruajtjes së deklaratës së pavarësisë së Republikës së Kosovës, vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sovraniteti nacional dhe integritetit territorial të vendit.
Konsideroj se një koalicion i tille, do të prodhonte një qeveri stabile dhe me numra të bollshëm në mënyrë që të shtyhet përpara tema më e rëndësishme, që është arritja e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar ai.
Kryeziu, ka komentuar edhe gjasat për një koalicion të dytë mes PDK-së dhe AAK-së, të cilat i ka vlerësuar si të vogla, marrë për bazë zhvillimet pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt, nga funksioni i kryeministrit.
“Pas dorëheqjes së Kryeministrit Ramush Haradinaj, shohim një mos interesim për koalicion tjetër të AAK-së me PDK-në, ndërsa NISMA është si një satelit e cila vendos për koalicion në momentet e fundit”, tha Kryeziu për “Gazeta Blic”.
Tutje, analisti Kryeziu ka propozuar që të shkohet në zgjedhje me dy platforma.
“Konsideroj që ri-legjitimimi duhet të shkojë në dy binarë: duhet të ketë zgjedhje me dy platforma.
Platforma e parë, ku bëhet e qartë për dhe kundër copëtimit të vendit. Le të dalin para sovranit ata që janë pro dhe kundër këtij projekti të shëmtuar sepse është vetëm kompetencë e sovranit të vendosë për çështje të tilla.
Fuqishëm besoj që një ide e tillë nuk përkon me vullnetin e kosovarëve sepse ajo e shkatërron shtetësinë e Kosova të konfirmuar edhe nga vendimi GJND-së.
Kosova ka humbur territor edhe, gjatë demarkacionit me Maqedoninë, e po shkojmë me të njëjtin skenar të humbjes së territorit edhe me Serbinë.
Platforma e dytë duhet të jetë platformë për mandatim për qeverisje me vendin, pa asnjë votë rreth idesë së copëtimit te territorit, përkatësisht platformë për bërjen e Kosovës shtet funksional dhe anëtar të barabartë me kombet tjera të botës së qytetëruar”, ka thënë në fund ai.
Ndryshe, LDK nuk ka shprehur vullnet për të bashkëpunuarm e VV me gjithë afërsinë e treguar kohëve të fundit.