“Ksamili, Shqipëria që nuk e prisni”

Sarandë | 20 Pri 2017 | 10:57 | Nga

Italianët e Mondo Viggare kanë veçuar qytetin jugor të Ksamilit në Shqipëri si një destinacion që nuk duhet humbur këtë verë.

Me titullin: “Ksamili, Shqipëria që nuk e prisni” portali italian iu bën thirrje turistëve që të vizitojnë. Dhe ja se çfarë shkruhet në të:

“Ksamili, emër i cili nënkupton ‘gjashtë milje’ është një vend gjysmë i panjohur që dikur ishte një fshat i vogël peshkatarësh. Gjendet përballë Korfuzit dhe është më pak i njohur se Saranda apo parku arkeologjik i Butrintit.

Por, e ardhmja turistike e këtij vendi është e sigurt, kjo falë bukurisë, plazheve të vogla të fshehura e ujërave të kthjellët. Në të do të gjeni njësi akomoduese qoftë hotele apo edhe apartamente me qira, që dikur mbusheshin nga shqiptarët tani gjithnjë e më shumë nga të huajt”.

Ksamili gjendet 17 km larg nga Saranda. Në të gjenden plazhe për të gjitha preferencat: me rërë, me gurë apo edhe me shkëmbinj. Ka katër ishuj të vegjël që mund të arrihen me not, por edhe me mjete të vogla uji. Uji kudo ka ngjyrë turkeze dhe transparente. Natyrisht në muajin gusht ky vend është i mbipopulluar ndaj nëse dëshironi qetësi mund të zgjidhni ta vizitoni në një periudhë tjetër.

Ndërsa plazhet më të njohura janë : Bora Bora, Tre ishujt, por edhe ato që janë të fshehur te ishujt më të vegjël. Kushton shumë pak rezervimi i një çadre, rreth 4 euro, por kjo shifër mund të ndryshojë nga njëri vend në tjetrin. Ka edhe plot bare e restorante nëse dëshironi që të mos largoheni shumë nga vendi ku keni zgjedhur të bëni plazh. Duhet të bëni kujdes nëse keni fëmijë të vegjël dhe t’i siguroni pasi deti ka thellësi.

Përveç detit e plazheve në Ksamil ka atraksione të tjera për t’i vizituar. Gjëja e parë që duhet të bëni dhe nuk duhet ta humbisni është të vizitoni Parkun Arkeologjik të Butrintit, që është trashëgimi botërore e mbrojtur nga UNESCO.

“Syri i Kaltër” është gjithashtu një tjetër atraksion turistik i cili vlerësohet si tejet i veçantë pasi në të ndërthuret gjelbërimi dhe bluja e thellë e ujit.

Me pak fjalë, Ksamili është një destinacion i ‘parrahur’ nga turizmi masiv ndaj duhet të përfitoni dhe ta vizitoni tani.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme