Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni konfirmoi se gjithsej në referendumin e së dielës kanë votuar 666 mijë e 743 votues ose 36.91% e votuesve të regjistruar në listën zgjedhore.
Institucioni që organizoi referendumin njoftoi se ka pranuar dhe ka përpunuar të gjithë procesverbalet e Komisioneve Komunale Zgjedhore.
Në pyetjen “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO me pranimin e marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”, “PËR” kanë votuar 609 mijë e 813 votues ose 91.46% kurse “KUNDËR” kanë votuar 37 mijë e 700 votues ose 5.65% e atyre që kanë dalë në votime. 19 mijë e 221 vota ose 2.89% janë shpallur të pavlefshme. Rezultatet e fundit përfshijnë edhe votimin në diasporë.
Kreu i KSHZ-së Oliver Derkoski potencoi se vendimi i Referendumit nuk është miratuar për shkak se nuk është arritur censusi për dalje prej 50% plus 1 votues.
“Sipas rezultatit të vërtetuar, nga votimi në Referendumin e vitit 2018, vendimi nuk është miratuar sepse nuk kanë votuar më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të qytetarëve të regjistruar në listën zgjedhore. Raporti i rezultateve të votimit në Referendumin e vitit 2018 do të publikohet në Gazetën Zyrtare në afat prej 15 ditësh nga dita e mbajtjes së referendumit – deklaroi Oliver Derkoski, kryetar i KSHZ-së.
Derkoski theksoi se asnjë aktorë nuk ka të drejtë për ankesa në KSHZ rreth procesit të votimit dhe numërimit të votave. Kjo sepse në këtë proces nuk ka pasur parti politike kurse Kuvendi si bartës zyrtarë, nuk ka autorizuar vëzhgues nëpër vendvotime.
Kreu i KSHZ-së theksoi se referendumi kryesisht ka kaluar në atmosferë të mirë kurse përpjekjet për incidente dhe prishje të rendit, në bashkëpunim me organet kompetente, do të hetohen dhe do të sanksionohen.