Në Kolegjin AAB në partneritet me kompaninë Findbug, po zhvillon punimet konferenca njëditore rajonale për siguri kibernetike “Hako për të mësuar, fituar dhe ndihmuar”. Në kuadër të këtij aktiviteti po zhvillohet edhe edicioni i V-të i konkursit “Dita kur hakimi është i ligjshëm”, i cili ka për qëllim të mbledhë hulumtuesit e sigurisë për të raportuar zbrazëtira të sigurisë në programe specifike.
Në hapje të konferencës, dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, prof.dr. Jusuf Qarkaxhija, tha se kjo konferencë është e një rëndësie të veçantë sepse mbledh pjesëmarrës jo vetëm nga Kosova e rajoni, por edhe më gjerë, të cilët do të përfitojnë nga hulumtimet dhe diskutimet me njëri tjetrit.
“Kolegji AAB dhe Fakulteti i Shkencave Kompjuterike viteve të fundit është bërë opsioni i parë për studime. Falë përkushtimit dhe punës së palodhshme të menaxhmentit të këtij institucioni, studentët kanë pasur dhe kanë suksese të shumta si jo vetëm në vend por edhe në rrafshin ndërkombëtar. Angazhimi i plotë i stafit ka bërë që këtë vit Fakulteti i Shkencës Kompjuterike në AAB të startojë vitin edhe me programin e ri të akredituar “Siguri Kibernetike”, i cili është i rrallë dhe shumë i kërkuar nga të rinjtë”, theksoi Qarkaxhija.
Në këtë konferencë, ku po marrin pjesë pjesëmarrës të shumtë nga akademia, nga industria e studentë e entuziastë të shumtë të fushës së sigurisë kibernetike, Ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Qeverinë e Kosovës, Muzafer Shala theksoi se pjesëmmarrja e numrit të madh në këtë ngjarje dëshmon edhe një herë rëndësinë e sigurisë kibernetike. Ministri Shala theksoi se fusha e teknologjisë informative është shumë e kërkuar dhe në tregun e punës së shpejti do të krijohet vend edhe për 50 mijë profesionistë të kësaj fushe.
“Kemi paraparë të kemi 50 mijë vende të reja të punës në sektorin e IT-së. Kjo për shumëkënd mund të duket diçka që nuk mund të realizohet, mirëpo brenda një periudhe jo të gjatë ky qëllim i ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të jetësohet”, tha Shala. “Ai theksoi se krijimi i këtyre 50 mijë vendeve të punës nuk është dëshirë, por është detyrim të cilin duhet ta realizojmë për ta nxënë hapin, sepse ne duhet të investojmë te të rinjtë që të sjellim kompanitë e huaja për këtë potencial”, shtoi ministri Shala.
Në mesazhin e tij, përveç shkollimit të të rinjve në këtë fushë, ministri Shala theksoi edhe nevojën e mbështetjes së kompanive vendore, të cilët po bëjnë zhvillimin e vendit dhe krijimin e vendeve të reja të punës, ashtu që të mos i lëmë të rinjtë të ikin jashtë, por gjithashtu të provojmë edhe të sjellim kompanitë e huaja në vendin tonë, për të shfrytëzuar këtë potencial të cilin e kemi.
Paralelisht me këtë konferencë, në hapësirat e Kolegjit AAB po mbahet edhe edicioni i pestë i konkursit “Dita kur hakimi është i ligjshëm”. Në këtë garë po marrin pjesë rreth 30 pjesëmarrës, studentë të institucioneve të ndryshme, nxënës të shkollave të mesme e të apasionuar pas kësaj fushe të cilët do të garojnë për titullin “Ethical Hacker of the Year”.