Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) thotë se e përmbylli edhe një vit me rezultat pozitiv në të gjitha fushat e operimit.
Sipas FKPK më i rëndësishmi lajm për kontribuuesit është performanca e investimeve, duke pohuar se kthimi bruto nga investimet për vitin 2016 ishte rreth 65 milionë euro.
Me këtë rast Bordi Drejtues shprehë vlerësimin se performanca e investimeve është tejet e kënaqshme, e cila njëkohësisht provon konsistencën e strategjisë investuese në fuqi, duke ofruar më shumë stabilitet dhe vjelje të mundësive investuese.
Më tej, vlerësuar në total, kthimi bruto nga investimet e FKPK-së prej 2003 e deri më 31 dhjetor 2016 ka arritur në rreth 316 milionë euro, ndërsa çmimi i aksionit për të njëjtën periudhë është ngritur për rreth 39%. Për vitin 2016 çmimi i aksionit është ngritur për 4.4%.
“Ky rezultat nga investimet gjithsesi mbështetet në lëvizjen pozitive të tregjeve financiare për vitin. Edhe pse tregjet globale ishin nën efektin negativ të rezultateve të paparashikuara politike në Britaninë e Madhe rreth BREXIT, dhe zgjedhjeve për president në SHBA; përmirësimi i treguesve ekonomikë në nivel global, bashkë me ngritjen e çmimit të naftës, ndikoi pozitivisht në rikuperimin dhe ngritjen e tregjeve. Përveç performancës së investimeve, këtë vit kishim rritje rekorde të mjeteve nën menaxhim dhe kontributeve të arkëtuara. Gjithashtu FKPK-ja ka vazhduar me përmirësimin e shërbimeve ndaj kontribuuesve, duke zgjeruar shërbimin me katër banka komerciale për pagesën e pensioneve në faza, derisa numri i kontribuuesve njohu rritje domethënëse”, thuhet në komunikatë.
Në vazhdim mund ta gjeni të plotë komunikatën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës:
Mjetet nën menaxhim
Në fund të 2016-s mjetet neto që FKPK-ja kishte nën menaxhim iu afruan vlerës së 1.42 miliardë eurove, ose një rritje prej 189 milionë euro nga fund viti i kaluar. Në rritjen e mjeteve nën menaxhim ndikuan: kontributet e reja me 152 milionë euro dhe kthimi nga investimet prej 65 milionë euro. Ndërkohë për të njëjtën periudhë: për pension u shpaguan 19 milionë euro, për tarifa menaxhuese 6 milionë euro dhe u rifonduan 2 milionë euro.
Me rritjen e mjeteve nën menaxhim FKPK-ja angazhoi edhe tre aset-menaxherë shtesë gjatë vitit: BNP Paribas IP Parvest, Amundi dhe Schroders GDG, me instrumente investuese në multi-asete.
Të pensionuarit
Këtë vit ishin edhe 4,447
përfitues të rinj të pensionit që tërhoqën rreth 19 milionë euro. Prej themelimit e deri më tani numri i të pensionuarve shkoi në 33,609 dhe vlera që kanë tërhequr këtë përfitues të pensionit ka qenë rreth 91 milionë euro.
Kontribuuesit
Numri i kontribuuesve njohu rritje më të fortë më 2016. Numri i llogarive në total u shtua për 33,960 dhe arriti në 541,923. Ndërsa numri i llogarive aktive u shtua për 15,235 dhe arriti në 312,681. Detajet e arsyeve të numrit të kontribuuesve në total dhe aktivë do të prezantohen në Raportin Vjetor 2016.
Përmbledhja e fakteve më të rëndësishme për dy vjetët e fundit:
Faktet Më 31 dhjetor 2016 Më 31 dhjetor 2015
Kthimi bruto nga investimet për vitin €64.6 milionë euro €29.6 milionë euro
Mjetet neto nën menaxhim €1,417,970,874 €1,229,333,327
Çmimi i aksionit €1.3756 €1.3171
Kontribute të arkëtuara gjatë vitit €151.5 milionë €137.5 milionë
Pensione të shpërndara gjatë vitit €19.2 milionë €19.3 milionë
Të pensionuar gjatë vitit 4,447 4,610
Llogari të kontribuuesve 541,923 507,963
Kontribuues aktivë 312,681 297,446
Investimet në Kosovë në fund të vitit €98,711,036 €95,654,197
Shërbime të ofruara 81,514 72,266
Taksa operacionale 0.082% 0.085%
Pensione të shpërndara prej themelimit €90.6 milionë €71.4 milionë
Të pensionuar prej themelimit 33,609 29,162.