Kuvendi Komunal i Vushtrrisë duhet ta rishikojë vendimin për rrënimin e pjesshëm të objektit të Qendrës së Kulturës, duke mos e përfshirë sallën ku zhvillohen aktivitetet kulturore. Salla moderne duhet të jetë boshti i objektit të ri të kulturës, e jo zyrat.
Objekti i Qendrës së Kulturës në Vushtrri, i ndërtuar në vitet e 50-ta, së pari si objekt ushtarak, ka vite që ka humbur vitalitetin e qëndrueshmërinë. I gjendur në mes të qytetit, në gjendjen ekzistuese, nuk reflekton kulturë as nga jashtë e mos të flasim përbrenda.
Ky objekt mbanë emrin e kolosit të kulturës shqiptare “Hasan Prishtina”, andaj vërtetë duhet që ky objekt të rrënohet tërësisht dhe në hapësirën ekzistuese, që është për fat të mirë e bollshme, të ndërtohet objekt i ri me sallë moderne e që reflekton kulturë.
Në një projekt të sponzoruar nga ekzekutivi i komunës, e realizuar nga kompania “Arico Ing”, përfshihet ndërtimi i objektit të Qendrës së Kulturës, por pa e përfshirë sallën ku zhvillohen aktivitetet kulturore, apo salla e vjetër inkorporohet në objektin e ri, ndërtimi i së cilës bëhet me investime milionëshe të siguruara nga Qeveria e Kosovës dhe Komuna.
Konsideroj që salla koncertale, teatrale etj., është boshti i një objekti të kulturës, e të tjerat janë objekte apo zyre në shërbim të saj. Aty zhvillohet krijimtaria kulturore dhe përcillet nga publiku. Konsideroj që veprimi komunal për ta përjashtuar ndërtimin e sallës është i pajustifikueshëm dhe ngjanë me atë thënien: “Prish shtëpi e ndërto hajat”.
Arsyetimet se pse po mendohet të veprohet kështu janë kotësi nga argumenti duke u munduar të thonë se salla ekzistuese është e mirë, ka fonetikë të mirë etj., e të cilat nuk qëndrojnë, por që lidhen me një nostalgji për një kohë e objekt pa ndonjë vlerë. Salla ekzistuese nuk përmbushë asnjë kriter modern të zhvillimit të aktiviteteve kulturore.
I mungon ndriçimi i duhur i skenës, i mungon pjerrësia e duhur, lartësia e gjerësia e mos të flasim për zërimin. Kjo sallë mund të ishte e mirë për vitet kur u ndërtua, por jo t’ju shërbejë artistëve sot e nesër. Shtytësit e idesë së renovimit të pjesshëm të këtij objekti si duket nuk janë ulur asnjëherë nga rreshti i dhjetë i ulëseve e tutje për t’i parë defektet e kësaj salle e mos të flasim për skenën e cila nuk plotëson kriteret për asgjë në kohën e tanishme.
Sallës i mungon edhe lokacioni i duhur për përcjellje të aktivitetit me anë të kamerave e shumë e shumë elemente tjera, andaj duhet rrënuar e tëra dhe ndërtuar në kuadër të objektit të ri të Qendrës së Kulturës.
Si do të dëshiroja të duket tërësia e objektit të ri të Qendrës së Kulturës?
Konsideroj që njerëzit e kulturës dhe të rinjtë do të na mallkonin me dekada nëse sot që kemi mundësinë po e lëshojmë atë për ta ndërtuar një objekt kulture me sallë moderne, koncertale, teatrale etj. Mendoj që përdhesja e këtij objekti dhe kati i parë i saj në tërë hapësirën e mundshme të tokës (0.50 ha), të jetë salla e cila do t’i dyfishonte kapacitetet krahasuar me të tashmen.
Kjo sallë do të duhej ta kishte pjerrësinë e duhur në atë formë sa rreshti i fundit të korrespondon me skenën në lartësi. Skena duhet të jetë në dy nivele, me shkallë dhe me gjatësi e gjerësi sa së paku dyfishi i ekzistueses.
Duhet që kjo skenë të ketë ndriçimin maksimal dhe zërim statik të vendosur në muret e sallës, zërim ky që tregon cilësi të njëjtë në çdo hapësirë të saj, e jo të përcjellë zhurmën e bartur. Në brendi të sallës duhet të ekzistojë lokacioni i veçantë në një lartësi tjetër për kamerat. Skema e tillë në madhësi e gjerësi do të krijonte ambient për vendosje të pianos koncertale statike, por dhe shumë elemente të tjera përcjellëse. Salla duhej ta kishte mesin e gjerë të lirë për lëvizje të qytetarëve, por edhe të artistëve. Ulëset do të duhej të ishin jo statike, ngjashëm me modelin e Qendrës Kulturore në TV Klan Kosova.
Niveli i dytë i këtij objekti konsideroj se do të duhej t’i kishte dhomën e ushtrimeve, dhomën e incizimeve, dhomën e teatrit, dhomën e pikturës, dhomën e baletit dhe dhomën e debatit. Niveli i tretë do të duhej të përfshinte pak zyre apo vetëm zyrën e menaxhimit dhe administrimit, e cila do të ishte funksionale në këtë ndërtim, pasi që shumë artistë do të donin të performonin në këtë hapësirë apo dhe incizonin shumë këngë. Shumë trupa teatrale do të kishin dëshirë që shfaqjet e tyre t’i performonin në këto hapësira.
Një sallë me afër 700 ulëse, moderne dhe me skenë madhështore, do të ishte vend joshës për t’u mbajtur shumë festivale e madje edhe skena televizive. Kështu, ky objekt ekonomikisht do ta mbante veten e madje gjeneronte mjete për kulturën vushtrrias.
Rinia do t’i rikthehej në objektin e kulturës për të parë njerëzit e preferuar të estradës. Ndryshe, përjashtimi i sallës nga ndërtimi i objektit të kulturës nuk tregon gjë tjetër veç investimit në objekt të zyreve që nga jashtë mund të duket bukur, por përbrenda bosh.
Biblioteka dhe muzeu i qytetit duhet të vendosen gjetiu për t’u bërë funksional, sepse në lokacionet ekzistuese nuk e kryejnë funksionin. Mendoj që vendi ideal është shtëpia muze e Mahmut agë Gjinollit, gjersa objekti i Shkollës së Muzikës aty pranë tyre në objektin e vjetër të Shtëpisë së Shëndetit.
Konsideroj që këshilltarët komunal në të mirë të kulturës e rinisë vushtrriase duhet ta rishikojnë vendimin e tyre për rrënimin e pjesshëm të objektit të kulturës dhe shndërrojnë në vendim për rrënim të tërësishëm duke inkurajuar projektin për një plan të ri të një objekti modern kulturor me sallë moderne. Shembuj ka mjaft në Kosovë e gjetiu.