Miliona banorë në Kubë kanë mbetur pa energji elektrike të premten, pasi vendi u përfshi nga një tjetër ndërprerje e madhe e furnizimit me energji.
Ministria e Energjisë e Kubës njoftoi se i gjithë rrjeti elektrik kombëtar pësoi një “shkëputje totale”, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë në të gjithë vendin.
Deri në orët e mbrëmjes, energjia ishte rikthyer në disa zona prioritare, përfshirë ato pranë spitaleve dhe stacioneve të pompimit të ujit në kryeqytetin Havana.
Operatori i rrjetit elektrik, UNE, bëri të ditur se ndërprerja nisi pak para orës 14:00 sipas kohës lokale, për shkak të një defekti në transmetim, të shoqëruar me kushte të pafavorshme atmosferike në pjesën qendrore të Kubës.
Sipas UNE-së, ky është të paktën ndërprerja e gjashtë e pjesshme ose totale e energjisë që ka goditur Kubën gjatë këtij viti. Rrjeti i vjetëruar elektrik dhe mungesat kronike të karburantit kanë rënduar më tej situatën, shkruan BBC.
Operatori ka aktivizuar procedurat për rikthimin gradual të energjisë, ndërsa procesi ka vazhduar edhe gjatë së shtunës.
Kuba mbështetet ndjeshëm në importet e karburantit, ndërsa sanksionet amerikane dhe bllokada e importeve të naftës që nga fillimi i vitit kanë përkeqësuar mungesat ekzistuese.
Krizat e furnizimit kanë prekur edhe produkte të tjera bazë. Ushqimet dhe ilaçet janë bërë më të vështira për t’u siguruar, ndërsa spitalet po përballen me vështirësi në funksionimin normal dhe shkollat e institucionet qeveritare janë detyruar të mbyllen.