Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ka vizituar sot Ndërmarrjen Publike të Infrastrukturës së Hekurudhave “Infrakos”. Drejtuesit e kësaj ndërmarrjeje, paraqitën para ministrit problemet me të cilat po përballen, duke theksuar si problemin më të madh vonesën shumëvjeçare të një marrëveshjeje financiare për subvencionim të kësaj ndërmarrje që buron nga Ligji i Hekurudhave.
Ministri Kuçi tha se Infrakos është një ndërmarrje me perspektivë, mirëpo aktualisht me probleme financiare, raporton Ekonomia Online.
“Është një prej ndërmarrjeve vitale e sidomos me perspektivë për të ardhmen. Investimet që janë paparaparë nga shumë agjenci evropiane në raport me Infrakosin tregojnë perspektivën e saj”.
“Mirëpo si shumë ndërmarrje publike, edhe kjo ka probleme financiare dhe ka obligime të ndryshme. Por, ne e kemi në dorë një marrëveshje që është obligative nga ligjet përkatëse, të shikojmë edhe ministrin Abrashi që ndoshta jemi afër për ta nënshkruar dhe që i garanton pjesën operative të Infrakos”.
“Për fat të keq problemet po zmadhohen kurse mundësitë financiare po zvogëlohen, sepse edhe të hyrat për shkak të pandemisë kanë rënë”, u shpreh Kuçi, në një deklarim për medie.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të “Infrakosit”, Xhevat Ramosaj, tha se e njoftuan ministrin Kuçi për problemet financiare që i janë akumuluar kësaj ndërmarrjeje ndër vite.
“E shfrytëzuam rastin që ministrin ta informojmë mbi gjendjen ekzistuese në ‘Infrakos’. Ne veçanti diskutuam për çështjet financiare, përfshirë nënshkrimin e marrëveshjes pesëvjeçare që duhet ta nënshkruajë Qeveria e Kosovës me ‘Infrakosin’ për financim”, tha Ramosaj, raporton EO.