Kufizime në autoudhë për mjetet mbi 20 tonë, shkak temperaturat e larta

Prishtinë | 31 Kor 2026 | 18:47 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se nesër do të ketë kufizime të përkohshme në qarkullim për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë, si pasojë e temperaturave të larta të parashikuara.

Sipas njoftimit të ministrisë, kufizimi do të zbatohet në autoudhë nga ora 11:00 deri në orën 17:30, pasi temperaturat pritet të arrijnë 32 gradë Celsius ose më shumë.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njofton qytetarët dhe operatorët ekonomikë se, bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave për ditën e nesërme, do të zbatohet kufizimi i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë”, thuhet në njoftim.

Nga kjo masë nuk do të përfshihen rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, ku qarkullimi do të lejohet pa kufizime.

“Në AUTOUDHË, kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperatura e parashikuar plotëson kushtin prej 32°C ose më shumë. Në rrugët NACIONALE, RAJONALE dhe LIDHËSE, qarkullimi lejohet pa kufizime”, ka bërë të ditur ministria.

Sipas njoftimit, përjashtim nga kufizimi do të kenë automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.

Ministria u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe ngasësve që të respektojnë masën dhe të planifikojnë lëvizjet në përputhje me orarin e përcaktuar.

Të ngjashme