Në Evropë e sidomos në pjesën e Ballkanit, është e pazgjidhur në plotni çështja etnike, gjegjësisht e përfshirjeve të etnive ose kombeve në shtetet e tyre. Shqiptaret kanë qenë kombi i cili më së shumti ka pësuar me vendosjen e paqes dhe kufijve të shteteve gjatë kongresit të Berlinit, Konferencës së Londrës dhe Paqes pas Luftërave Botërore . Edhe kombet tjera si gjermanët , hungarezet , rumunet etj. nuk e kanë të zgjidhur plotësisht bashkimin e kombit në një shtet, por rasti i shqiptarëve ka qenë më eklatant pasi që gati dy të tretat e territorit shqiptar kanë mbet jashta shtetit amë.
Moszgjidhja e problemeve në tavolinë ka sjellë deri te luftërat e ndryshme, lufta e fundit në masë të madhe e ka përmirësuar një padrejtësi që i është bërë shqiptareve dhe me krijimin e shtetit të Kosovës është krijuar një stabilitet në Ballkan dhe me gjerë . Dihet që Ballkani në të kaluarën ka qenë vatra e krizave dhe është quajtur me epitetin ‘‘Fuqi Baruti’’. Duke u nisur nga kjo çdo lëvizje e kufijve pa marrë parasysh në cilën pjesë të Evropës , e në veçanti nëse behet fjalë për Ballkanin kishte me qenë hapja e ‘‘Kutisë së Pandorës”, duke sjellë pasoja dhe implikime të mëdha. Evropa si vendi më i zhvilluar i botēs sidomos në pikëpamje kulturore, demokratike dhe liberale, është duke shkuar në drejtim të bashkimit, mënjanimit të kufijve dhe të aplikimit të një demokracie të përgjithshme në terë territorin e saj.
Zgjidhja më e mirë e të gjitha çështjeve etnike dhe kontesteve territoriale mes shteteve do të ishte në Bashkimin Evropian ku vijat kufitare do të luanin vetëm rolin e kufijve administrativë dhe populli shqiptar në BE do të arrinte edhe bashkimin e tërësishëm kombëtar. Çdo lëvizje e kufijve kishte me sjellë si pasojë ndonjë konflikt dhe luftë eventuale e cila do të shkonte ne dëmë tonin. Serbia si palë humbëse është duke luftuar për rehabilitimin e saj dhe për kthimin e pjesëve të territorit të cilat i ka poseduar më parë, e për të arrit këtë qellim është në gjendje edhe të nxis konflikt rajonal.
Në këtë drejtim Serbia e ka përkrahjen e plot nga aleati i saj historikë Rusia, te cilës i konvenon çdo krizë apo konflikt në këtë rejon, për të tentuar që ta shtrij ndikimin e saj të humbur me shembjen e shteteve komuniste.
Ne, çdo veprim tonin duhet ta koordinojme me nunin e shtetesisë sonë SHBA-at dhe aleatet, duke i stopue synimet serbe si dhe tentimin e ndikimit rus në këtë pjesë të globit.