Sportistët që tashmë i kanë fituar normat për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, duhet të përzgjidhen sërish nga Komitetet Olimpike Nacionale përkatëse, për të garuar në Lojërat e shtyra për vitin 2021.
Kështu ka thënë të enjten një zyrtar i lartë i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC).
IOC-ja dhe qeveria japoneze janë dorëzuar para presionit të madh dhe kanë vendosur të shtyjnë ngjarjen kryesore sportive për vitin tjetër. Vendimi u mor për shkak të përhapjes së koronavirusit, që po pamundëson mbajtjen e garave sportive.
Rreth 57 për qind të 11 mijë sportistëve që do të garojnë në Tokio, tashmë janë kualifikuar. Kualifikimin ata e kanë arritur para se garat kualifikuese të anuloheshin për shkak të pandemisë.
Këta sportistë, sipas IOC-së, do të mbajnë normën e tyre, por duhet të ripërzgjidhen për Lojërat e vitit të ardhshëm, nga Komitetet e tyre Nacionale Olimpike. IOC-ja thotë se sportistët e përfaqësojnë vendin e jo veten.
“Të gjitha kualifikimet që janë arritur nga Komitetet Olimpike Nacionale dhe nga sportistët individualë, mbesin në fuqi. Të gjithë sportistët duhet të përzgjidhen individualisht pasi ata përfaqësojnë komitetin e tyre nacional. Në të gjitha sportet Komiteti Olimpik Nacional mbanë të drejtën për të përzgjedhur sportistët”, ka thënë Kit McConnell, drejtor sportiv i IOC-së.
Aktualisht vetëm mundësi Egzon Shala ka normë të fituar për Kosovën. Ndërkohë pesë xhudistë të Kosovës janë në zonën që siguron normën për Lojërat e Tokios.