Me rastin e 72-vjetorit të krimeve serbo-komuniste në Pazarin e Ri të Sanxhakut, dhe ekzekutimit të Aqif Blytës dhe Ahmet Dacit, dhe rreth 2000 qytetarëve tjerë të pafajshëm, në Haxhet, sot lagje e banuar e Pazarit të Ri, organizata joqeveritare “Kosova për Sanxhakun”, nën përkujdesjen e kryetarit të komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, organizon konferencë shkencore më temën “72-vjetori i ekzekutimit të Aqif Blytës dhe Ahmet Dacit – Masakra në Haxhet të Pazarit të Ri.”
Koferenca shkencore do të mbahet më 21 janar 2017 (e shtune), në Institutin Albanologjik të Prishtinës, me hapjen e saj në ora 11:00. Në konferencë me kumtesat e tyre do të paraqiten historianë, politikologë, publicistë të ndryshëm nga Kosova, Shqipëria dhe Sanxhaku.
Menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe hyrjes së partizanëve në qytete të Sanxhakut, qeveria e drejtuar nga Partia Komuniste e Jugosllavisë (PKJ) mori vendimin që me procedurë të përshpejtuar të ndëshkonte të gjithë ata të cilët sipas vlerësimit të tyre nuk ishin në linjë të përputhshme me regjimin e atëhershëm. Në shënjestër të regjimit komunist-jugosllav të sapoardhur, u gjetën pothuajse krejt elita e asaj kohe, e cila nuk ishte anëtare e PKJ-së.
Bombardimet e aviacionit Aleat në Pazar të Ri, gjegjësisht në Haxhet, krijuan kratere të cilat u përdorën si varre masive për të gjithë sanxhaklinjtë e ekzekutuar.
Deri më sot, asnjë nga këto varreza nuk janë evidentuar-shënuar. Mirëpo, aktivitetet që po ndërmerrte Bashkësia Islame dhe Këshilli Kombëtar Boshnjak për të sqaruar dhe ndriçuar ngjarjet e kobshme që lidheshin me krimin kundër popullsisë jepnin shpresën se një gjë e tillë do të ndodhte!
Mbledhja e provave të shkruara dhe dëshmitë e regjistruara të bashkëkohësve dhe të pasardhësve të viktimave do të mundësonte të shënohej vendi i krimit. Ekzekutimet e sanxhaklinjëve në Haxhet janë kryer në shumicën e rasteve me procedurë të përshpejtuar, apo pa asnjë procedurë gjyqësore, pa të dhëna dhe dokumentacion të shkruar.
Njerëzit janë marrë gjatë natës me forcë nga shtëpitë e tyre dhe janë dërguar në vendin e përmendur për t’i ekzekutuar. Në atë kohë filloi grabitja e pronës së familjeve më të pasura.
Anëtarët e OZNA-s kanë përcjellur individët me autoritet dhe kanë regjistruar të gjithë ata që kanë pasur ndonjë lloj kontakti me të ekzekutuarit. Menjëherë pas kësaj, kanë filluar arrestimet masive.
Të arrestuarit janë marrë në burg, i cili ndodhej pranë ndërtesës së gjykatës së atëhershme. Dëshmitarët thonë se torturat ishin aq mizore, saqë banorët e lagjes janë detyruar të largoheshin në pjesë të tjera të qytetit, sepse nuk mund të përballoheshin britmat e atyre që ishin prapa mureve të burgut. Njerëzit u ekzekutuan kryesisht gjatë natës.
Një përjashtim i rrallë ishte prijësi politik e ushtarak, Aqif Blyta, të cilin e ekzekutuan në mes të ditës së bashku me kryetarin e komunës Ahmet Dacin.
Ekzekutimi është bërë publikisht në mënyrë që të shërbente si një paralajmërim për ata që e kishin përkrahur dhe adhuruar Blytën.
Pas ngjarjeve në Haxhet filloi një valë e emigrimit në Turqi, si dhe më vonë një valë edhe më masive e emigrimit, do të përsëritej në kohën e Aleksandër Rankoviqit.