Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup në bashkëpunim me Revistën “Drita” kanë organizuar edicionin e dytë të manifestimit tradicional kulturor-shkencor “Drita e Gonxhës” që përkon me 112-vjetorin e lindjes dhe 25-vjetorin e vdekjes së Nënës Terezë, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i këtij instituti, Skender Hasani, ka thënë se qyteti i Shkupit është krenar që ka pasur një figurë të shquar si Nënë Tereza, e cila ka përcuar kulturën shqiptare në tërë botën.
“Shkupi ka specifika të rëndësishme sepse nga gjiri i tij kanë dalë figura të mëdha”.
“Shkupi është krenar që nga gjiri i saj doli një bijë që përçoi trashëgimin e kodin e shqiptarëve. Nënë Tereza është figurë e botës mbarë. Pa Gonxhen nuk do të kishte Nënë Terezë”, u shpreh ai.
Ndërsa, Don Lush Gjergji, biografi i Nënë Terezës, ka thënë Nënë Tereza është ende e gjallë në mendjen dhe zemrën e shqiptarëve.
“Këtë vit jemi në 25 vjetorin e kalimit në amshim dhe 112 vjetorin e lindjes së saj. Nëna Tereza është më tepër e gjallë, jo vetëm në emërtimin e rrugëve, spitaleve por edhe mendjen dhe zemrën e shqiptarëve”.
Nënë Tereza themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4 500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete.
Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë Çmimin Nobel për Paqe.
Shën Nënë Tereza ka ndërruar jetë më 5 shtator të vitit 1997, në Kalkutë të Indisë.