Kosova ka rrëmbyer sot tre medalje, një të artë e dy të argjendta, në Grand Slamin në Abu Dhabi, dhe kjo e ka gëzuar jashtëzakonisht shumë trajnerin e xhudisteve, Driton Kuka.
Nora Gjakova ishte e papërmbajtshme sot në Abu Dhabi, duke rrëmbyer të artën, kurse Distria Krasniqi e Majlinda Kelmendin morën të argjendtën, me këtë të fundit që ishte e pafat në këtë garë.
Kelmendi në çerekfinale lëndoi hundën, që i kushtoi në ndeshjen finale, pasi u detyrua ta dorëzojë meçin për shkak të gjakderdhjes së madhe. E Kuka konfirmon se lëndimi i saj nuk është serioz.
“Tri medalje, një e artë e dy të argjendta. Nora sot ishte e paparë. Majlinda u rikthye fuqishëm. U lëndua në luftën çerekfinale dhe në finale gjakderdhja e tepërt detyroi mjekun ta ndërpresë luftën, vendim të cilin e përkraha edhe unë. Lëndimi s’është serioz përveç gjakderdhjes që s’lejoi të vazhdohet finalja. Distria sot ishte si në ditët e saja më të mira”, ka shkruar Kukan në Facebook.
Ai bën të ditur se kjo ëshë hera e parë që Kosova rrëmben tri medalje në një Grand Slam, e shpreson që ato të shtohen.
“Akili nesër garon dhe shpresojmë në performancë të mirë. Nora një mijë pikë, kurse Majlinda e Distria nga 700 pikë olimpike”, ka shkruar Kuka.