Kandidatja për deputete nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Diellza Kukaj, ka thënë se ata e mirëpresin vendimin që do ta marrë Gjykata Supreme lidhur me ankesën e tyre të dorëzuar pas mos certifikimit të listës së kandidatëve për deputet nga
Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ).
Kukaj në Info Magazine të Klan Kosovës ka deklaruar se zgjidhja më e mirë që kanë menduar të ofrojnë është zëvendësimi i kandidatëve që patën probleme me ligjin.
“Ne jemi në pritje të përgjigjes pozitive ndaj ankesës që e kemi parashtruar. Lista e AAK-së është e unifikuar, mjaft e përzgjedhur, më momentin kur i kemi dispozitat ligjore duhet t’i respektojmë ato. Por edhe duhet të reagojmë kur mendojmë që nuk është e drejtë, por prapë se prapë fjala e fundit u takon institucioneve që marrin vendime dhe e kanë legjitimitetin për këtë”.
“Aleanca, ka mjaft kuadro, kemi mundësi të zëvendësojmë, ne e kemi ofruar zëvendësimin e kandidatëve dhe mendojmë se kjo është alternativa më e mirë. Institucionet duhet të respektohen, vendimet e Gjykatës duhet të pranohen brenda asaj që e ofrojnë, në fund në përgjigjen përfundimtare”.
” Po besoj se kemi ofruar argumentin e mjaftueshëm dhe e kemi një bazë që e kemi parashtruar kërkesën tonë. Ne paraprakisht jemi konsultuar me ekspertë të ndryshëm dhe juristë që e shohin alternativën që mundet ta gjejë zgjidhjen, organet janë ato që e marrin përfundimisht vendimin për listën”.
Ajo ka folur edhe për tubimet elektorale që janë duke u bërë në kohë të pandemisë nga ky subjekt politik, njofton Klan Kosova.
“Në takimet që kemi pasë deri tani nuk kam parë që nuk janë respektuar masat. Nuk jam duke e përjashtuar faktin që nuk ka tubime me shumë njerëz. Unë jam pro ruajtjes së shëndetit. Në momente kur kemi takime të tilla duhet qytetarët të kenë kujdes, qoftë në kontakt po ashtu të mbajnë edhe maskat dhe të respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së”, ka thënë Kukaj.