Banorët e Kukësit nuk ndalen. Ata paralajmërojnë se do të vazhdojnë të kundërshtojnë me protesta rikthimin e tarifës 100 lekë për kalimin në Rrugën e Kombit, që pritet të aplikohet në shtator. Ata thonë se do të ngrihen sërish edhe në rast se tarifa do të ishte 10 lekë, pasi flasin për pamundësi ekonomike për të paguar tarifën.
“Qoftë edhe një 10 lekësh i vjetër, unë jam i bindur se përsëri do të dalim atje, i gjithë populli”.
Në qëndrime ende individuale, banorët e Kukësit thonë se do ti rikthehen protestave në rast të aplikimit të tarifës së lëvizjes në Rrugën e Kombit.
“Nëse vihet prapë ne prapë do të ngrihemi sikur jemi ngritur. Jemi gjithmonë në konflikt me shtetin pasi nuk mundemi ta paguajmë, jo se nuk i duam ne taksat.
Pamundësia ekonomike për të paguar është arsyeja e parë që japin kuksianët për kundërshtimin e pagesës për Rrugën e Kombit. Ndaj banorët e Kukësit ruajnë qëndrimin se për ta tarifa duhet të jetë zero”, shprehet një banor.
“Edhe ky 2 mijë lekësh është shumë sepse ne kemi farefisin të gjithë këtu. Me një pension 100 mijë lekësh çfarë takse? Zero, zero|, shtojnë banorë të tjerë.
Por ndërsa për zyrtarizimin e tarifës së re dhe paketës lehtësuese për banorët e qarkut të Kukësit do të pritet shtatori, bashkë me qytetarët e Kukësit, kundër tarifës është pozicionuar edhe opozita.
Pak ditë më parë nga Kukësi, dy deputetë të Partisë Demokratike paralajmëruan se do të përdoret çdo formë demokratike për ta ndaluar.
Ndërkohë, në Rrugën e Kombit, në pikat e pagesës vijon rehabilitimi i dëmeve të protestës së 31 marsit.