Shoqata nacionale e mjedrës “Mjedra e Kosovës”, me mbështetjen e USAID-it, dhe donatorëve Caritas dhe GIZ-i, kanë organizuar konferencën e tretë të mjedrës.
Sami Uka, kryetar i shoqatës “Mjedra e Kosovës”, tha se shqetësuese këtë vit ka qenë se se çmimi i mjedrës ishte i ulët, raporton Ekonomia Online.
“Çështja e mjedrës në të vërtetë ka qenë një vit sfidues për shumë arsye sepse kushtet klimatike kanë qenë jashtëzakonisht të pafavorshme për mjedrën, po ashtu çmimi ka qenë shumë i ulët dhe të ardhurat e fermerëve kanë qenë në minimum, prandaj me të vërtetë ka qenë një sfidë e madhe për kultivuesit e mjedrës”, ka thënë Uka.
Mevludin Krasniqi, zëvendësministër i Bujqësisë tha se Qeveria është e përkushtuar të mbështes kultivimin e pemëve të imta me 3 milionë euro.
“Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me USAID do të financojë projektin për mbështetjen e programit për zhvillimit bujqësor dhe mundësitë rurale në Kosovë zinxhiri i vlerave të pemëve të imëta, ku përfshihen dredhëzat, mjedrat dhe boronicat”.
“…zinxhirin e vlerave të bimëve mjekësore dhe aromatike, ku përfshihen frutat dhe bimët e egra të kultivuara në kushte organike dhe kanë tregje dhe eksporte të realizueshme. Sasia totale, gjerësisht granti që bashkëfinancojmë me USAID-in është tre milionë euro”, ka thënë Krasniqi.
Lisa Magno, drejtoreshë e USAID-it për Kosovë, tha se është e rëndësishme që tu ndihmohet fermerëve, raporton EO.
“Ne po ashtu kemi mbështetur lidhjet mes fermerëve dhe tregtarëve dhe shitësve me pakicë, eksportuesve, pra e kemi pasur parasysh këtë zinxhir të vlerave. Gjithashtu kemi ndihmuar fermerët që të certifikohen, dhe kjo ua ka rritur potencialin për t’i eksportuar produktet e tyre”, tha ai.