Nëse mbetet kështu siç është sot, shekuj më vonë, arkeologëve do t’u nxjerrë punë të deshifrojnë strukturat e themeleve prej betoni. Konstatimi i gjetjeve do të ishte i prerë: bëhet fjalë për një projekt të dështuar.
Tash, s’ka gjurmë as të gurit themeltar të teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Vendi është shndërruar në tokë bjerrë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në fillim të dhjetorit, nëntë vjet më parë, institucionet e kulturës ishin në festë. Përballë një skene të improvizuar po kremtohej nisja e ndërtimit të objektit të teatrit dhe operës “Dr. Ibrahim Rugova”.
Pas fjalimeve me pompozitet të udhëheqësve të shtetit, për programin artistik ishin kujdesur Baleti Kombëtar i Kosovës dhe Filarmonia e Kosovës. Për vënien e gurit themeltar kishte nisur të hapej një gropë e madhe afër Fakultetit Teknik në Prishtinë.
Prej asaj kohe deri në këtë muaj, Baleti Kombëtar i Kosovës ka dhënë 36 premiera. Çdo vit nga katër.