Mbrojtësi shqiptar, Marash Kumbulla, ka ritheksuar se nuk ka hezituar që të bashkohet me Romën, derisa ka thënë se ky është një hap përpara në karrierën e tij.
Për qendërmbrojtësin kishin shprehur interesim edhe top skuadra të tjera evropiane, përfshirë këtu edhe Napolin e Lazion, transmeton KOHA. Megjithatë, ai kishte zgjedhur Romën.
“Kur kam dëgjuar për interesimin, ishte emocionuese nuk kam hezituar për shkak të klubit, qytetit dhe fansave. Ishte një vendim i lehtë për ta marrë”, ka thënë Kumbulla.
Ai ka treguar se ishte e vështirë të largohej nga Verona.
“Ishte e vështirë të largohesha nga Verona pas aq shumë viteve, por ky është një hap përpara në karrierën time. Ka shumë dallime taktike në mbrojtje ndërmjet trajnerëve, shembull me Ivan Juriqin markojmë kundërshtarin, derisa me Paulo Fonsecan mbroheshim si grup”, ka thënë Kumbulla.
Kumbulla ka shtuar se e di që duhet të përmirësohet në pasime, shkruan Football-Italia.
“E di që duhet të përmirësohem në pasimin nga mbrojtja dhe në këmbën time jo dominonte, por mund të përmirësohem në çdo gjë. Kemi një mbrojtje të re, por tashmë e dëshmuam se mund të punojmë mirë së bashku dhe mund të bëhemi edhe më të fortë”, ka thënë ai.
Kumbulla debutoi në barazimin prej 2 me 2 ndaj Juventusit në Stadio Olimpico.
“Isha shumë i lumtur dhe i emocionuar, por gjithashtu ndjej keqardhje që nuk morëm tri pikët, sepse mendoj se e merituam fitoren”, ka deklaruar Kumbulla.