Agjencia Kundër Korrupsionit i ka rekomanduar Gjykatës Kushtetuese që të eliminojë shkeljet e Ligjit të Prokurimit Publik, në tenderin Mbindërtimi në objektin ekzistues të GJKK-së.
Sipas kësaj agjencie, në njoftimin për kontratë të tenderit, vlera e parashikuar e të cilit është 350 mijë euro, Gjykata Kushtetuese ka shkelur nenin 7 dhe nenin 69 të Ligjit për Prokurim Publik, si dhe nenin 26.8 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në nenin 7 të Ligjit flitet për Barazinë në Trajtim dhe Jo-Diskriminimin, në nenin 69 për Aftësinë Teknike dhe ose Profesionale, ndërkohë që në nenin 26.8 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik janë të përcaktuara kriteret e përzgjedhjes që mund të përdoren nga AK-ja.
Sipas Agjencisë Kundër Korrupsionit, me caktimin e numrit të punëtorëve, prej 30 e më shumë, nga ana e Kushtetueses janë diskriminuar operatorët ekonomikë, që mund të kenë më pak punëtorë.