Agjencia Kundër Korrupsionit ka kërkuar nga universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren që t’i evitojë shkeljet e evidentuara në aktivitetin e prokurimit për furnizim me disa kompjuterë (laptopë) dhe telefona të mençur.
Përmes opinionit të shprehur, kjo agjenci ka pohuar se në këtë aktivitet të prokurimit ka kërkesa nga autoriteti kontraktues që nuk janë në pajtim me Ligjin e prokurimit publik, shkruan sot Koha Ditore.
“AKK-ja ofron këtë opinion, me të cilin kërkohet nga ju si Autoritet kontraktues që t’i ndërmerrni të gjitha veprimet e nevojshme drejt evitimit të shkeljeve të evidentuara, lidhur me tenderin ‘Furnizim me 6 kompjuterë laptopë dhe 7 smartphone’…, në mënyrë që të respektohen dispozitat përkatëse të Ligjit të prokurimit publik…”, thuhet në opinionin e AKK-së.
AKK-ja ka sqaruar se në bazë të dokumenteve të nxjerra nga sistemi elektronik i prokurimit ka analizuar njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit, ku ka konstatuar se UPZ-ja për këtë aktivitet të prokurimit ka paraparë procedurën e kuotimit të çmimit, kontratë publike të llojit furnizim, me vlerë të vogël në shumë prej 9 mijë e 900 eurove.