Kundërshtarët e dikurshëm të Thaçit sot po bëjnë njëjtë, veç pa përvojën e shkathtësitë e tij

Prishtinë | 26 Shk 2023 | 15:39 | Nga Shkodran Hoti

7 vite më parë, Hashim Thaçi është zgjedhur president i Kosovës mes kundërshtive të mëdha brenda e jashtë Kuvendit të Kosovës.

Deputetët opozitarë përveç me fjalime, zgjedhjen e tij në Kuvend e kundërshtonin edhe me gjuajtje vezësh e gaz lotsjellës. Thaçi akuzohej prej tyre për veprime të dëmshme ndaj Kosovës, për faktin se negocionte marrëveshje me Serbinë dhe për çështjen e demarkacionit të kufirin me Malin e Zi.

Për të njëjtat arsye, protestohej edhe jashtë. Kishte edhe dhunë. Fatkeqësisht një nga ata që i printe protestës jashtë isha edhe unë.

Po them fatkeqësisht, së pari për naivitetin tim që asokohe e ka bërë të pamundshëm që ta shoh rëndësinë e kompromiseve në politikë.

Së dyti edhe për guximin prej naivi që me akuzu lehtësisht dikë e me i dalë kundër dikujt që më shumë se gjysmën e jetës e ka kalu nëpër procese jetike për vendin – para, gjatë e pas luftës.

Dhe së treti, duke parë aktualisht që kundërshtarët e tij të dikurshëm sot po i bëjnë të njëjtat që bënte Thaçi, madje pa përvojën e shkathtësitë e tij. Sot, e kemi një presidente që e konsideron demarkacionin çështje të mbyllur, e ardhur në pushtet me ata që prorestonim kundër asaj marrëveshjeje. Sot, e kemi një kryeministër që po i negocion e jetëson marrëveshjet e Thaçit, e madje ka gjasë që të shkojë përtej tyre.

(Autori ka qenë aktivist shumëvjeçar i Vetëvendosjes)

Të ngjashme