Emërimi i republikanit, John Bolton, në postin e këshilltarit të ri për siguri kombëtare të presidentit amerikan, Donald Trump, në kuadër të zëvendësimi të tretë me radhë në këtë post që prej ardhjes së tij në krye të Shtëpisë së Bardhë, ka nxitur të premten reagime të ashpra në mbarë botën.
Bolton, i cili do ta zëvendësojë gjeneralin H.R. McMasterin, njihet si kundërshtar i fuqishëm i marrëveshjes evropiane me Iranin për frenimin e programit bërthamor të Republikës Islamike, shkruan sot Koha Ditore.
Për më tepër, ai ka qenë një kundërshtar i fuqishëm edhe i shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008, duke shpërfaqur qëndrime diametralisht të kundërta me ato të administratës amerikane.
“Më së miri është që të vazhdohen negociatat për statusin e Kosovës, sepse kjo është mënyra më e mirë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”, kishte thënë Bolton gjatë një interviste të 2008-s, pak pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Për dallim prej qëndrimit zyrtar të Washingtonit, Bolton atëbotë tha, për më tepër, se nuk ua rekomandon shteteve të rajonit njohjen e Kosovës.
“Rasti i pashembullt i Kosovës do të mundë të jetë problem për shtetet e ish-Jugosllavisë dhe Evropës, e kam fjalën për ato multietnike”, ka thënë ai.