Vizitat e shtuara diplomatike në Prishtinë javët e fundit nuk e kanë qartësuar të ardhmen e afërt të dialogut Kosovë-Serbi.
Por ajo që mbetet e qartë bazuar në burimet e shumta perëndimore, kundërshtimi i vendosur i këmbimit të territoreve e pamundëson arritjen e një marrëveshjeje të tillë në dialogun e Brukselit, shkruan sot Koha Ditore.
Qëndrimi i pandryshuar i Qeverisë së Gjermanisë në krye me kancelaren Angela Merkel vazhdon të identifikohet si pengesa më e madhe për arritjen e marrëveshjes për ndryshimin e kufijve të Kosovës.
Një gjë të tillë madje e kanë thënë publikisht edhe aktorët e negociatave – në një konferencë të mbajtur në Minsk të Bjellorusisë, në fund të tetorit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, janë ankuar se “qëndrimin negativ” i Berlinit zyrtar po e pengon marrëveshjen Kosovë-Serbi.
Krahas Berlinit, edhe disa qendra të tjera evropiane nuk janë në favor të prekjes së kufijve, përfshirë Britaninë e Madhe, e cila, edhe pse është në një moment të ndërlikuar për shkak të procesit të daljes nga BE-ja, megjithatë nuk mund të injorohet si një ndër shtetet më me peshë në botën perëndimore, e cila mbetet pjesë qenësore e NATO-s, si dhe anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.