Publikimi i listave të veteranëve dhe i gjithë debati i krijuar rreth çështjes së verifikimit të listës së veteranëve është duke u bërë me qëllimin e shkëputjes së vëmendjes nga proceset në të cilat po kalon Kosova.
Kështu tha për EkonomiaOnline, ish- zëvendëskomandanti i Zonës Operative të Karadakut, Shemsi Syla, duke kundërshtuar mundësinë e pezullimit të pensioneve deri në hetimin e plotë të këtyre listave.
Syla, i cili vite më parë ka qenë pjesë e komisionit për verifikimin e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më tutje tha se duhet të kërkohet përgjegjësi nga ata që janë duke qëndruar pas gjithë kësaj.
“Krejt kjo këto që krijohen sot nuk janë të paqëllimta të përqendrohet vëmendja diku tjetër dhe të kruhen disa procese të dhimbshme në anën tjetër. Krejt kjo amullie që është krijuar ka krijuar një degradim total dhe një shqetësim marramendës tek njerëzit”, tha Syla për EkonomiaOnline.
“Unë them se duhet kërkuar llogari dhe përgjegjësi pikë së pari kush janë ata që qëndrojnë pas këtyre listave dhe unë nuk besoj që nuk është bërë me një qëllim të caktuar edhe ikja e prokurorit edhe dalja e këtyre listave edhe krejt amullia tjetër që është krijuar rreth vlerës së UÇK-së është një qëllim i caktuar që ta denigroj atë vlerë sublime të këtij populli dhe asgjë tjetër”, shtoi Syla.
Ish-koloneli në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Shemsi Syla, më tutje ka thënë se e gjithë kjo zhurmë e krijuar rreth veteranëve dëmton vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai më tutje beson se nuk është e nevojshme që të ndalet dhënia e pensioneve, pasi sipas tij, shumë veteranë mbijetojnë nga ai.
“Ka kohë që ka pas dyshime të mëdha ky proces i verifikimit ka qenë me defekte të shumta dhe me qëllime të caktuara të krijojë këtë amulli që ka rrjedh deri në këtë shkallë të një evoluimi ose thënë shkurt të një devalvimi total të vlerave të ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, u shpreh Syla.
“Assesi nuk i kisha thanë që veteranëve të iu ndalet sepse ata jetojnë ndoshta me atë çka kanë marrë deri më sot pro të kthehet gjendja aty ku është e vërteta. Komisioni dhe të gjitha instancat që kanë qenë të involvuar të japin llogari dhe të kthehet gjendja në zero që të verifikohet saktë se si ka qenë gjendja reale”.
Syla i cili njëherësh është edhe anëtar i Komisionit për të Drejta të Njeriut vlerëson se publikimi i listave të veteranëve është shkelje e të drejtave të njeriut.
“Ajo çfarë kemi dëgjuar e sot ata emra që janë rreshtuar si kinse mashtrues nuk e di a do të ketë të bëmë më të keqe për ta se sa të devalvojë dhe dëmtojë kaq rëndë të drejtën e privatësisë ose të drejtat e njeriut”, tha ai për EO.