Komuna e Ferizajt ka planifikuar që gjatë vjetëve të ardhshëm t’i rrënojë shtatë institucione publike në rrugën “Ramadan Rexhepi” me qëllim të ndërtimit të parkut të qytetit.
Rrënimi i objektit të Spitalit, QKMF-së, emergjencës primare, pastaj rrënimi i objektit të pensionistëve, dhe disa objekteve të tjera publike po kundërshtohet nga subjektet opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Në mbledhjen e fundit të KK-së, Komuna e Ferizajt ka shpallur në interes të përgjithshëm katër ngastra kadastrale te ish- fabrika e vajit në Ferizaj me synim që aty të ndërtohen Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, një objekt shkollor dhe disa institucione të tjera publike, shkruan sot Koha Ditore.
Burim Karameta, këshilltar në KK të Ferizajt nga radhët e LDK-së, ka thënë se kjo qeverisje po vazhdon me avazin e vjetër për t’i degraduar asetet publike dhe për të keqmenaxhuar me paranë publike.