Ministrja e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari e ka shkarkuar nga detyra Ermal Kutllovcin, zyrtarin për cilësi dhe produkteve të naftës në MINT.
Një vendim i Komisionit Disiplinor të MINT-it konstaton se shkarkimi i Kutllovcit ndërlidhet me “shkelje disiplinore dhe sjellje jo të mirë, gjuhë nënçmuese dhe aspak profesionale, gjatë një takimi të mbajtur me zyrtarë të MINT-it”.
Kutllovci, në një reagim në rrjetet sociale të martën, shkarkimin e tij e ka quajtur skandaloz.
Ai ka thënë se komisioni disiplinor me vendimin për shkarkimin e tij, ka vepruar në bazë të urdhërit politik të ministres Rozeta Hajdari. Ndërsa, u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë e Komisionit Hetimor Parlamentar, që ta zbardhin të vërtetën deri në fund.
“Të nderuar përfaqësues të mediave, Të dashur miq, shokë e familjarë, Sot urdhrin politik të Ministres Rozeta Hajdari, e përfilli absolutisht komisioni disiplinor i cili nxjerri vendim skandaloz për largim nga marrëdhënia e punës, natyrisht vendim arbitrar të diktuar e imponuar nga një presion i paparë politik. Ju që më njihni personalisht e familjarisht besoj e dini, unë kurrë nuk jam zmbrapsur e as nuk zmbrapsem në rrugëtimin e drejtë e të ligjshëm. Pra unë jam i njëjti i pandryshueshëm dhe i pa kompromisë në respektim të ligjshmërisë”, ka shkruar Kutllovci, në reagimin e tij.