Kuorumi

Prishtinë | 01 Pri 2021 | 00:32 | Nga Mufail Limani

Lufta për narrativë politike është në thelb. Është vet lufta për pushtet. Një e njëjta. Semantika është armë. Epitetet janë armë. Terrorizimi me perspektivën e kaosit. Apokalipsit. Fjalët janë armë. Pamjet. Tingujt. Gjithçka është armë. Të gjithë ne jemi në fakt armë. Sepse është luftë totale. S’ka civilë! Nuk ka të pafajshëm! Jo , sepse vota na rreshton. Na përcakton. Na determinon. Vota e shkretë, sikur molla e famshme, na bën të gjithëve në thelb mekatarë. Gjynahçarë të pashpresë që kërkojmë mëshirë ose shpërblim. Çudi se si në asnjë tregim modern tash e sa nuk justifikohet që shumica ka vlerë më të madhe se pakica. Do të ishtë një krim. Një blasfemi. Ose një nonsens. Askund pra! Pos në Politikë!

Dhe jo vetëm në shithole-in tonë, por edhe në gjithë Perëndimin e synuar , sheh se betejat politike për pushtet ka tendencë që të “animohen” si beteja mes të Mirës dhe të Keqes.

Kjo doemos shpie në suprimimin e pluralizmit.

I ideuar si beteje midis të mirave sa më të mëdha me kosto (të këqija) sa më të vogla, koncepti i vjetër i pluralizmit politik bjen!
Politika kthehet si tinëz në Faltore, prej ku është dëbuar para pak shekujsh, me gjakderdhje të vërteta.

Logjika i jep plumbin e fundit armikut: Pse duhet që një Parti e Mire në pushtet ta lejojë ekzistimin e Partisë së Keqe? E shihni se Pluralizmi humb Arsyen? Çmendi. Sëmundje mendore. Subverzion demoniak bëhet! Ose, do ta kemi sërish pasqyrimin tokësor të hyjnores: Zoti, megjithatë, nuk e zhbën Satanën! Sepse testet e cilësisë së fabrikatit disi nuk kanë siguri absolute dhe prandaj Ai , me qëllim të njohur e të panjohur, e le të Keqen që të na sfidojë. Ose edhe Ai është thjesht një Sadist. Sikur këta poshtë që rëndom janë. Për aq sa u lejohet!

Debate të mira ishin ato kur flisnim nëse na duhet më parë “stabiliteti” ose “demokracia”.

Thuajse njëzëri deklaroheshim për “demokraci” dhe kundër “stabilitetit”, si një dëmtim evident i demokracisë. Tash e njëjta çështje! Dhe, i shihni të huajtë si reagojnë? Njëjtë! Sidomos amerikanët. Identikë! Po mundohen të thonë diçka sikur pohimi që demokracia kufizohet më kushtet e ekzistencës së saj – ligjshmërinë, paqen dhe, pra, stabilitetin! Sikur na thonë, të jetosh dmth në radhë të parë të jesh gjallë. Nuk është pa shumë sens, apo jo?

S’ duhet një historian profesionist të gjesh përfundimin që se e sa herë ndodh që pakica të jetë “flamurtare” e lirisë, ndërsa shumica është në anën tjetër. Ose matet diçka. A s’ ishim pakicë e mjerë në Jugosllavi? A s’ ishim pakicë që e kishim me gjithë mend për Republikë? A s’ishin pakicë që luftuan për liri, duke i lënë pallavrat anash? A s’ishte Rugova në start njeriu i margjinave politike?

Prandaj, për vete sot besoj se kuorumi kushtetues per presidentin e Kosoves, pa një marrëveshje paraprake politike mes shumicës e pakicës parlamentare, cementon shndërrimin e betejes së shëndetshme politike pluraliste mes partive tona në një lloj “beteje etike”, në terma metafizikë, ku duket se s’ka vend as për “dialektikë”- qoftë edhe e kthyer në një sport cerebral.

Ndryshe, besoj se shoqëria e Kosovës nuk është në telashe pse ka një LVV kaq superiore me numra, me diskurs të promovuar dhe me lojëra strategjike, por pse ka nje opozitë që nuk arrin të konfrontohet me të në asnjë rrafsh thuajse, ndërsa një pjesë e madhe e tyre shohim se ende as që e kupton se çfarë po ndodh.

Të ngjashme