Ballkani e ka përfunduar në vend të parë stinorin vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll. Por në skuadrën suharekase janë të vendosur që të bëjnë edhe hapin e radhës në rrugën tjetër drejt Evropës. Të shtunën (sot, 12:30) në Suharekë, Ballkani e pret Trepçën ’89, në ndeshjen më interesante të një të tetës së finales së Kupës së Kosovës në futboll.
Gara për Kupë paraqet rrugën më të shkurtër drejt daljes në Kupa Evropiane, përkatësisht në fazat e hershme kualifikuese të Ligës së Evropës. Nga Superliga në Evropë dalin kampioni, në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, dhe nënkampioni, në kualifikimet e Ligës së Evropës. Për herë të parë këtë edicion gara në futbollin kosovar ofron tri bileta për në Evropë. Derisa kampionati zgjat plot 33 xhiro, gara e Kupës është shumë më e shkurtër. Me 4-5 fitore, skuadrat fitojnë Kupën dhe kualifikohen për Evropë, që sjell benefite të mëdha, shkruan sot Koha Ditore.
Ballkani në stinorin vjeshtor, nga plani i dytë, ka siguruar vendin e parë në Superligë. Në fillim nuk është llogaritur në mesin e favoritëve, por ka rreshtuar rezultatet pozitive dhe në fund mblodhi më së tepërmi pikë. Trepça ’89 nuk llogaritet pjesë e garës për titull të kampionit, kështu që rastin e kërkon në Kupë.
“Jemi shumë të përgatitur, duke ditur se Trepça ’89 është një ekip shumë i mirë. Jemi përgatitur gjatë tërë javës për këtë ndeshje dhe nesër do të japim maksimumin. Jemi të vendosur që të kalojmë këtë raund, por në të njëjtën kohë jemi të vetëdijshëm që do të jetë ndeshje e fortë. Besimi në skuadër është i madh dhe presim që në fushë të dëshmojmë cilësinë që kemi”, ka thënë mbrojtësi i Ballkanit, Besnik Krasniqi.
Në një të tetën e finales të Kupës paraqiten skuadra nga Superliga, por edhe nga Liga e Parë dhe Liga e Dytë. Te Trepça ’89 shprehin keqardhje që në këtë fazë përballen me liderin, Ballkanin. Futbollisti Leart Emini vlerëson se një ndeshje mes Ballkanit dhe Trepçës ’89 do të ishte e denjë për fazë të mëvonshme, pse jo edhe në finale të Kupës.