Kupina-Muharremit: Reagimi juaj ndaj vizitës së Presidentes Osmani në Mitrovicë, nuk është as kritikë, e as shqetësim kushtetues, por konstatim i paqëndrueshëm

Prishtinë | 15 Dhj 2025 | 12:32 | Nga Ekonomia Online

Këshilltari i Presidentes, Vjosa Osmani, Bekim Kupina i ka reaguar analistit Shenoll Muharremi rreth komentit që bëri për vizitën e të parës së vendit në Mitrovicën e Jugut.

Kupina ka thënë se shkrimi i tij nuk është as kritikë, as shqetësim kushtetues por një konstatim i paqëndrueshëm, madje e quan të pavërtetë atë se  Presidentja “nuk ka shkuar ta uroj askënd tjetër”.

Reagimi i plotë:

I nderuar, Shenoll Muharremi, reagimi juaj ndaj vizitës së Presidentes Osmani në Mitrovicë, nuk është as kritikë, e as shqetësim kushtetues, por konstatim i paqëndrueshëm.

Të thuash se Presidentja “nuk ka shkuar ta uroj askënd tjetër”,  është tërësisht e pavërtetë. Si një përcjellës i zhvillimeve politike, nuk do të ishte dashur t’ju ikin zhvillimet e fundit nga aktiviteti i Presidentes nëpër komuna. Faktet janë kokëforta dhe i rrëzojnë lehtë pretendimet.

Presidentja ka qenë edhe në Dragash, i udhëhequr nga LDK-ja,

ka qenë edhe në Ferizaj, i udhëhequr nga PDK-ja dhe ka qenë në Gjilan, i udhëhequr nga Vetëvendosje.

Pra, narrativa se Presidentja paska “zgjedhur njërin e ka injoruar të tjerët”, është e pavërtetë, tendencioze dhe e ndërtuar për konsum ditor, jo për interes publik.

Përpjekja për ta paraqitur këtë si shkelje të paanshmërisë kushtetuese është abuzim me terminologjinë kushtetuese. Presidentja e Republikës nuk e humb paanshmërinë duke kryer detyrën e saj përfaqësuese dhe institucionale.

Sa i përket pretendimit për “hise në fitore”, “ndarje partish”, apo “pozicionim për kthim në politikë”, këto janë spekulime, pa asnjë provë, të cilat synojnë denigrimin e Presidentes.

Edhe pretendimet për procesin e mandatimit janë të konsumuara, të sqaruara dhe të bazuara në interpretime selektive, jo në shkelje kushtetuese. Vendimet janë marrë brenda kompetencave kushtetuese, dhe dështimet politike nuk mund t’ia faturoni Presidentes.

Në fund, problemi nuk është Presidentja.

Problemi është frika nga një figurë që vepron mbi parti, mbi interesa të ngushta dhe mbi pazare politike.

Të ngjashme