Kupina: Presidentja Osmani nuk e ka fajësuar Zvicrën për mërgimtarët e infektuar, por ka apeluar për vaksinim

Prishtinë | 02 Sht 2021 | 13:33 | Nga Ekonomia Online

Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Vjosa Osmani ka thënë se presidentja në deklarimin e saj për mediumin zviceran “Blick” nuk e ka fajësuar Zvicrën për mërgimtarët tanë të infektuar me Covid-19, porse ka apeluar për vaksinimin e të gjithëve.

Sipas Kupinës, presidentja Osmani ka theksuar se nuk është koha për akuza reciproke, porse për angazhim të përbashkët për vaksinim masiv të të gjithë qytetarëve në Zvicër, por edhe në Kosovë.

Ndryshe, sot në media është raportuar se presidentja Osmani në një deklaratë për Blick ka është detyrë e autoriteteve zvicerane, që edhe personat me rrënjë nga vende tjera t’i bindin për t’u vaksinuar.

Lexoni të plotë reagimin e Kupinës në Facebook:

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një deklarim të saj për mediumin zviceran “Blick”, nuk e ka fajësuar Zvicrën për mërgimtarët tanë të infektuar me Covid-19, porse ka apeluar për vaksinimin të të gjithëve.

Për më tepër, zonja Osmani ka theksuar se nuk është koha për akuza reciproke, porse për angazhim të përbashkët për vaksinim masiv të të gjithë qytetarëve në Zvicër, por edhe në Kosovë.

Devijimi i deklarimit të Presidentes Osmani vetëm sa i kontribuon negativisht angazhimit për vaksinim.

Nxjerrja jashtë kontekstit e kësaj deklarate shkakton dëme edhe në kontekstin kosovar, teksa përballemi me rritjen e ndjeshme të rasteve të të infektuarve, fatkeqësisht edhe të vdekjeve, prandaj mesazhi i Presidentes është fort i qartë: Vaksinimi shpëton jetë. Vaksinohuni, në Zvicër, në Kosovë, në gjithë botën.

Të gjithë kemi të drejtë të informohemi dhe atë shpejtë, por para se gjithash saktë!.

Të ngjashme