Këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina ka bërë të ditur se presidentja Osmani shpifjeve se gjoja ajo ka negociuar për lirimin e agjentëce të BIA-s do t’i përgjigjet nëpërmjet rrugës ligjore.
Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Kupina theksoi se presidentja Osmani u ka bërë thirrje Policisë dhe Prokurorisë që urgjentisht të ndërmarrin masa ndaj analistit të sigurisë, Bedri Elezit, bazuar në raportet e sigurisë.
“Presidentja Osmani nuk ka negociuar për lirim të agjentëve të BIA-s, ndaj kjo është gënjeshtër e pastër e individit Bedri Elezi, për ç’gjë Presidentja menjëherë do të përgatisë padi. Ky deklarim i pa vërtetë dhe skandaloz, përbën shpifje të rëndë. Deklarime të tilla, cenojnë jo vetëm kredibilitetin e shtetit, por edhe sigurinë kombëtare”, shkroi Kupina.
Elezi përmes një statusi në Facebook, të premtën implikoi tre zyrtarë të lartë shtetëror në veprime të dyshimta për spiunazh.
Sipas tij, presidentja Vjosa Osmani, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, dyshohet se janë përfshirë në spiunazh.