Krerët e Kosovës thonë se momenti për aplikim në BE dhe KE është i volitshëm. Autoritetet ndërkombëtare thonë se për anëtarësimin e Kosovës në BE, hapi i parë është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.
Autoritetet e Kosovës e kanë vënë si prioritet aplikimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë. Synimet janë të qarta: Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe NATO. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në një vjetorin e punës së saj si presidente, tha se janë duke punuar maksimalisht për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës dhe në NATO. Por sipas saj anëtarësimi në NATO është më i komplikuar. E sa i përket Këshillit të Evropës, Osmani tha se 2/3 e ministrave që do të votojnë në KE janë nga shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Kam kërkuar të bëhen organizimet që aplikimi në Këshillin e Evropës të bëhet sivjet. Ne po punojmë me partnerët tanë që kjo periudhë kohore të jetë sa më e shkurtë për Republikën e Kosovës. Nga shtetet që do të votojnë në këshillin e ministrave që është hapi i fundit i votimit në Këshillin e Evropës më shumë se 2/3 e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe shpresojmë që të votojnë në favor”, tha Osmani. Ndërsa sa i përket anëtarësimit të Kosovës në NATO, presidentja bëri të ditur se ky është një proces më i komplikuar, pasi votimi dhe vendimi kërkon unanimitet të plotë.
Anëtarësimi në NATO
“Sa i përket anëtarësimit në NATO është shumë më i komplikuar, sepse kërkon votim dhe vendim me unanimitet të plotë. Në NATO janë edhe 4 shtete evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën”, tha presidentja Osmani. Megjithatë ajo tha se “Kosova do të sigurohet që t`i plotësojë të gjitha kriteret për anëtarësim në NATO, ndërsa synim tjetër është anëtarësimi në Partneritetin për Paqe”, ndonëse Kosova ende nuk ka ftesë për anëtarësim.
Por si e shohin analistët synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO. Drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Politika Zhvillimore KIPRED Lulzim Peci, i tha DW-së se pa njohjen e Kosovës nga këto shtete, është pothuajse e pamundur që Kosova të jetë pjesë e NATO-s.
“Kërkesat e palës kosovare për anëtarësim në NATO-ja janë legjitime. Por realizueshmëria e tyre është komplekse, sepse, pikë së pari Kosova ka problem që nuk e njohin katër shtete të NATO-s. Dhe problem tjetër është që Kosova ende nuk i ka të rregulluara raportet me Serbinë, kështu që këto janë dy elementet kyçe të cilat do e pengojnë Kosovën rreth përafrimit të përshpejtuar me NATO-n. Mirëpo, nëse situata në rajon ndryshon në mënyrë rapide, atëherë ka mundësi që edhe këto pengesa të tejkalohen”, thotë Lulzim Peci. Sipas tij, një marrëveshje finale me Serbinë, do të shpie deri tek njohja e Kosovës nga katër vendet dhe kjo natyrisht që do t’ia lehtësonte Kosovës rrugën për në NATO.
PDK mbështet anëtarësimin në KE
Mbështetjen për qeverinë për aplikim të Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës e bëri edhe partia me e madhe opozitare Partia Demokratike e Kosovës PDK. Nënkryetarja e kësaj partie Vlora Çitaku, thotë se “deri tani kjo nuk ka qenë e mundur për shkak të ndikimit të Rusisë në Këshillin e Evropës”. Por me suspendimin e Rusisë nga Këshilli i Evropës për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, “është krijuar një momentum i ri, ku qeveria e Kosovës, mund të nisë procedurën e anëtarësimit në këtë strukturë të rëndësishme”.
“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës përbën një përfitim të shumëfishtë për vendin tonë në drejtim të fuqizimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit në familjen evropiane e më gjerë. Në mes tjerash, është përfitim për qytetarët tanë, të cilëve do t’ju mundësohej qasja në drejtësi në Gjykatën Evropiane për të Drejtave të Njeriut në Strasburg, aty ku zbatohen parimet e drejtësisë së Kartës Evropiane të Drejtave të Njeriut, e cila edhe ashtu është e inkuadruar si entitet brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo është një çështje emergjente. Si parti lidere e opozitës, do ta mbështesë fuqishëm qeverinë në këtë objektiv shtetëror dhe në hapat tjerë që duhet të ndërmarrë për anëtarësim në NATO dhe BE”, thotë Çitaku.
Reagimet ndërkombëtare
I ngarkuari i Qeverisë gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka vlerësuar se Qeveria gjermane do të përkrahte kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Në një intervistë për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, i pyetur nëse Gjermania do të mbështesë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në KE, tani kur ekziston shumica e dy të tretave pas suspendimit të Rusisë nga kjo organizatë, Sarrazin tha se nuk ka fare dyshim për mbështetjen e Gjermanisë në këtë rast.
“Gjermania e ka njohur Kosovën. Gjithsesi, ne angazhohemi që një shtet i njohur nga ne, të jetë anëtar i organizatave ndërkombëtare. Aq më tepër, në organizatat e tilla siç është Këshilli i Evropës, që angazhohen për rritjen e standardit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, përfshirë edhe ato të minoriteteve në Kosovë. Se kur është momenti i duhur për të shtruar kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, këtë duhet ta vlerësojë vetë Qeveria kosovare”, ka thënë Sarrazin.
Një synim tjetër më madhor e ka kryeministri Albin Kurti, i cili premton që gjatë këtij viti Kosova të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për aplikimin në BE, Kurti tha se do ta bëjnë gjatë mbledhjes së Këshillit të Stabilizim-Asocimit.
Aplikimi në BE
“Kosova është vend potencial për vendin kandidat dhe i është premtuar perspektiva e anëtarësimit në Bashkim Evropian. Prandaj ne jemi të përkushtuar të zbatojmë pjesën tonë të detyrimeve dhe të intensifikojmë bashkëpunimin me shtetet anëtare dhe institucionet e Bashkimit Evropian për të avancuar në fazën tjetër të anëtarësimit”, tha Kurti.
“Ne do të aplikojmë këtë vit për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian. Do të ishte shumë mirë që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës dhe në programin e partneritetit për paqe të NATO-s”, duke bërë thirrje që pesë shtetet anëtare të BE-së të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë hapin e madh drejt njohjes.
“Ne jemi në kontakt me shtetet mosnjohëse. Katër nga ato janë edhe në NATO: Spanja, Sllovakia, Greqia dhe Rumania. Por jemi në konktakt ede me Qipron që është pjesë e Bashkimit Europian por jo edhe e NATO-s”, tha Kurti.
Synimet janë (jo)reale
Por si e shohin autoritetet ndërkombëtare synimin e Kosovës por edhe të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se për anëtarësimin e Kosovës në BE, hapi i parë është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Sipas tij, Kosova para aplikimit duhet që të konsultohet me shtetet anëtare në mënyrë që të arrihet konsensus i përbashkët.
“Trajtimi është i njëjtë, por proceset janë në faza të ndryshme dhe Kosova është aty ku është, sepse ka filluar me vonesë. BE-ja pret që Serbia të përafrohet me politikat e BE-së. Nëse nuk jeni të përafruar nuk mund të futeni në BE. Pritjet janë që Serbia do të përafrohet me të gjitha masat. Normalisht që nuk është vetëm BE-ja, është përgjegjësia e Kosovës të përparojë në rrugëtimin drejt BE-së, të ketë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, që është kushti i parë. Kosova mund të aplikojë për anëtarësim në BE, hapi i parë është përmbyllja e suksesshme e dialogut për marrëveshje finale”, tha Szunyog.
Ai këshillon Prishtinën zyrtare, që Kosova të lëvizë përpara. “Këshilla ime para se të lëvizim është që duhet të këtë konsultim me shtetet anëtare. Duhet t’iu dërgohet ftesa për këtë dhe bëhet me konsensus të shteteve”, tha Tomas Szunyog, gjatë një debati të organizuar në lidhje me ndikimin e luftës së Ukrainës në Ballkan.