Kanë kaluar tre muaj që kur Trusti Pensional është bllokuar për shkak të mungesës së anëtarëve të bordit, të njëjtëve mandati iu ka skaduar nga 1 marsi. Mos përzgjedhja e anëtarëve po cilësohet si tejet e dëmshme, rrjedhimisht miliarda euro kanë mbetur pa u menaxhuar.
Zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti tha se përzgjedhja e kandidatëve pritet të mbarojë së shpejti, duke mos dhënë një datë të saktë.
“Ju njoftoj se Komisioni për Përzgjedhje është në proces të përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës-FKPK. Puna e Komisionit për Përzgjedhje, pritet të përfundojë së shpejti dhe do të komunikohet në pajtim me dispozitat e aplikueshme ligjore”, ka thënë Ahmeti për Insajderin.
Pjesë e komisionit përgjegjës përveç guvernatorit të BQK-së është edhe ministri i Financave e Auditorja e përgjithshme. Gazeta ka kërkuar përgjigje edhe nga të njëjtit.
Nga ministria që udhëhiqet nga Hekuran Murati nuk kanë kthyer asnjë përgjigje, ndërkaq nga zyra e ZKA-së kanë deklaruar se nuk është nën kompetencë ë tyre“…Lidhur me kërkesën tuaj ju lutem t’i drejtoheni Bankës Qendrore si bartëse e procesit. Auditorja e Përgjithshme i përgjigjet të gjitha kërkesave sipas përgjegjësive të përcaktuara me ligj“.
Lidhur me mos emërimin e Bordit të ri të Trustit Pensional ashpër ka reaguar edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.
Ai deklaronte se “rreth 2.5 miliardë të kursimeve kanë mbetur në mëshirë të fatit”.
Konkursi i dytë ka qenë i hapur deri më 5 maj, në ora 16:00.
“Komisioni për përzgjedhje të kandidatëve për anëtarë të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) njofton se është rishpallur konkursi për 5 anëtarë profesionalë, 1 anëtar përfaqësues të punonjësve dhe 1 anëtar përfaqësues të punëdhënësve. Konkursi është i hapur deri më 5 maj 2023, ora 16:00”, thuhej në njoftim e BQK-së.