Kur do të furnizohet Kosova me vaksinën kundër COVID-19

Prishtinë | 30 Dhj 2020 | 17:03 | Nga Ekonomia Online

Shumë shtete tashmë kanë filluar të vaksinojnë popullsinë me vaksinën kundër COVID-19, raporton Gazeta Express. Megjithatë, Kosova ende nuk është furnizuar me këto vaksina. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se me 20 për qind të vaksinave të cilat do t’i marrin falas do të furnizohen në tre mujorin e parë të vitit 2021, ndërsa nga aleanca ndërkombëtare COVAX është thënë se fillimisht do të furnizojnë vetëm 3 për qind të popullësisë në gjithë botën dhe prioritet do të jetë furnizimi i vendeve të përgatitura.

Derisa shumë shtete tashmë kanë filluar të furnizohen me vaksinat kundër COVID-19, në Kosovë ende nuk është bërë furnizimi me to.

Zyra për informim në Ministrinë e Shëndetësisë ka thënë për Express, se në tre mujorin e parë të vitit 2021 Kosova do të furnizohet me 20 për qind të vaksinave që do t’i marrë falas nga COVAX.

Nga kjo ministri nuk e kanë përjashtuar mundësinë që vaksinat të vijnë edhe mëherët.

Ndërsa nga COVAX thuhet se në tre mujorin e parë të vitit 2021 kanë qëllim që të furnizojnë 3 për qind të popullsisë në gjithë botën.

Zëdhënës në Aleancën e Vaksinave Gavi, kanë bërë të ditur për Express, se qëllimi i COVAX është që të fillojë furnizimin e 3 për qind të qytetarëve në vendet më të përgatitura në tremujorin e parë të vitit 2021, ndërsa synojnë që 20 për qind të popullsisë ta furnizojnë me vaksina deri në fund të vitit 2021.

“Qëllimi i COVAX është që të fillojë në vendet më të përgatitura që në tremujorin e parë, me këstin e parë i cili do të jetë i mjaftueshëm për të mbrojtur 3 për qind të popullsisë (kujdesin shëndetësor dhe punonjësit socialë). Në gjysmën e parë të vitit, qëllimi ynë është që të filloj mbrojtja e 20 për qind të popullsisë deri në fund të vitit 2021. Ne presim që të jemi në gjendje të ofrojmë më shumë azhurnime në fillim të vitit të ri”, kanë thënë ata.

Në rast se Kosova do të jetë e përgatitur për dhënien e kësaj vaksine, atëherë vendi do të mund të furnizohet në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm, në të kundërtën përparësi pritet të kenë shtetet tjera.

Akterë politikë në vend janë shprehur skeptik se Kosova do të mund furnizohet me kohë me këto vaksina.

Nga subjektet politike opozitare është thënë ditë më parë për gazetën se stafi shëndetësorë nuk është i përgatitur për dhënien e tyre, andaj edhe vaksinimi mund të marrë kohë.

Ndërsa, nga Bashkimi Evropian kanë thënë sot se Komisioni Evropian ka miratuar një paketë prej 70 milionë euro për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor në furnizimin me vaksinat kundër COVID-19.

Nga BE kanë thënë se vazhdojnë të mbështesin iniciativën COVAX, për të siguruar qasje të drejtë dhe universale në vaksinat COVID-19.

Sa i përket furnizimit me këtë vaksinë, zyrtarë të politikës së jashtme në BE i kanë thënë gazetës se COVAX ka plane për furnizimin e përgjithshëm, dhe se ata do të na informojnë në lidhje me këtë.

Ndërsa, derisa Kosova ende nuk është furnizuar me vaksina. Serbia ka filluar të vaksinoj qytetarët në komunën veriore në Kosovë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia do të kujdeset për serbët që jetojnë në Kosovë dhe se është e gatshme që të dërgojë ilaçe dhe vaksina edhe për shqiptarët.

Të ngjashme