Këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj, i ka reaguar këshilltarit të kryeministrit Albin Kurti, Driton Tali, lidhur me talljet e tij në Facebook.
“Kur do ta bombardojë Amerika Kosovën”, kishte pyetur Tali, me cinizëm.
“Sa të papërgjegjshme dhe antiamerikane e kemi Qeverinë dëshmon edhe ky mentaliteti i këshilltarit të Kurtit. “Kur do të na bombardojë Amerika?” – paska llomotitur Driton Tali, pas paralajmërimeve për tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga Kosova”, ka shkruar Behramaj.
POSTIMI I PLOTË:
Sa të papërgjegjshme dhe antiamerikane e kemi Qeverinë dëshmon edhe ky mentaliteti i këshilltarit të Kurtit. “Kur do të na bombardojë Amerika?” – paska llomotitur Driton Tali, pas paralajmërimeve për tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga Kosova.
Amerika, ti cinik i paturp, ka bombarduar kur i rrezikohej edhe mbijetesa popullit tonë. Kur të rinj e të moshuar, ecnin natë e ditë, në borë e shi, për ta marrë një armë dhe për ta mbrojtur pragun e shtëpisë. Për ta mbrojtur edhe pragun e shtëpisë tënde teksa ti bridhje rrugëve të Londrës.
Amerika, ti cinik i paturp, ka bombarduar kur qytetarët tanë kishin humbur edhe besimin se një ditë do të jetonin të lirë.
Amerika ishte dhe vazhdon të jetë gjithçka për popullin tonë, në emër të të cilit soji yt tash tallet. Bombardimet e saj, që përfshijnë rreth 70 për qind të të gjithë intervenimit të NATO-s, ishin shpresa e vetme për Kosovën. Por, ti dhe shumë kolegë tuaj mosmirënjohës në atë zyre, sigurisht që nuk keni pasur sesi të përjetoni amerikanizmin si gjendje shpirtërore, meqë kishit ikur ndër të parët.
Amerika nuk bombardon, por ndihmon. Ashtu siç ka ndihmuar gjithmonë. Por, jo edhe atëherë kur Qeveria e Kosovës tregohet e papërgjegjshme.
Cinizmi dhe antiamerikanizmi nuk janë vlera të kësaj shoqërie, prandaj ju së shpejti do ta përjetoni, jo amerikanizmin, por vetminë politike!
Ky grafikon dëshmon sa ka bombarduar Amerika për ne.