“Kur gratë përjashtohen nga ekonomia, humbet i gjithë vendi”-mbahet konferenca për transport publik dhe çerdhe cilësore

Prishtinë | 22 Tet 2025 | 10:56 | Nga Drita Dërmaku

Sot në Prishtinë është mbajtur konferenca lansuese e punimit “Transporti i rregullt publik dhe kopshtet cilësore si parakusht për zhvillim të hovshëm të vendit”, raporton Ekonomia Online.

Drejtoresha ekzekutive nga “Demokraci për Zhvillim”, Rezarta Delibashzade-Krasniqi, tha se në Kosovë nuk ka përfshirje të mjaftueshme të grave në tregun e punës.

“Sot, Kosova po përballet me një sfidë të dyfishtë – shpopullimin e fshatrave dhe mos përfshirjen e grave në tregun e punës. Në vetëm një dekadë, popullsia rurale është zvogëluar për mbi 36%, ndërsa janë braktisur dhjetëra mijëra shtëpi në fshatra. Kjo nuk është vetëm statistikë është realiteti i një vendi që po e humb ekuilibrin mes zhvillimit urban dhe atij rural. Në të njëjtën kohë, vetëm 26% e grave janë aktive në tregun e punës, ndërsa mungesa e çerdheve dhe transportit publik janë ndër pengesat kryesore. Kur një grua nuk ka ku ta dërgojë fëmijën, apo nuk ka mjet të arritshëm për të shkuar në punë, atëherë ajo mbetet jashtë ekonomisë. Dhe kur gratë përjashtohen nga ekonomia, humbet i gjithë vendi – humbet potenciali, produktiviteti dhe kreativiteti ynë kolektiv”, tha ajo.

Drejtoresha Delibashzade-Krasniqi prezantoi rekomandimet, derisa theksoi hapjen e çerdheve publike dhe krijimin e një sistemi të transportit publik të subvencionuar.

“Këto të dhëna na çojnë në dy rekomandimet kryesore që paraqet dokumenti ynë. E para, hapja e çerdheve publike në zonat rurale, si pjesë integrale e rrjetit arsimor publik. Kjo është më shumë sesa çështje sociale është investim në kapitalin njerëzor, në zhvillimin e hershëm të fëmijëve, në barazinë e mundësive dhe në ekonominë e së ardhmes. E dyta, krijimi i një sistemi të transportit publik të subvencionuar që lidh fshatrat me qendrat urbane, për të siguruar qasje në punë, arsim dhe shërbime publike. Nëse këto dy masa zbatohen me prioritet kombëtar, përfitimet do të jenë të shumëfishta: rritje e punësimit të grave dhe e të ardhurave familjare, ulje e shpërnguljes nga fshatrat, gjallërim ekonomik lokal, zhvillim i qëndrueshëm për të gjithë vendin. Sot, përmes këtij takimi, duam të nxisim dialog të hapur ndërmjet qeverisë, komunave, shoqërisë civile dhe sektorit privat për ta bërë këtë agjendë pjesë të politikave të buxhetuara”, shtoi Delibashzade-Krasniqi.

Koordinatorja e projektit nga “Demokraci për Zhvillim”, Bora Krasniqi, prezantoi të gjeturat e projektit.

“Në Kosovë, vetëm 26% e grave janë pjesë e tregut të punës, krahasuar me 61% të burrave.

Tri të katërtat e grave as nuk punojnë, as nuk kërkojnë punë. Sipas të dhënave të terrenit të mbledhura gjatë qershorit 2025: 19% e grave thonë se nuk punojnë sepse nuk kanë kujt t’ia lënë fëmijët. Kostoja e transportit për në punë është e papërballueshme për shumë familje. Në zonat urbane, 24% e fëmijëve ndjekin kopsht, ndërsa në fshatra vetëm 14%. Vetëm 42% e banorëve ruralë kanë linjë të rregullt transporti publik, krahasuar me 64% në qytet”, prezantoi Krasniqi.

Koordinatorja e këtij projekti nënvizoi edhe sfidat kryesore me të cilat po përballet Kosova.

“Kosova po përballet me një sfidë të dyfishtë që ndërlidhet mes vete: shpopullimin e fshatrave dhe mospërfshirjen e grave në tregun e punës.

Në 10 vitet e fundit, vendi ka humbur rreth 150 mijë banorë (-9%), ku popullsia rurale ka rënë me 36% (290 mijë persona), ndërsa ajo urbane është rritur me 17%. Për herë të parë, më shumë se gjysma e qytetarëve jetojnë në zona urbane.

Ky trend shpërnguljeje nuk është i qëndrueshëm dhe shpesh është i nxitur jo nga zgjedhja, por nga mungesa e shërbimeve bazike në fshat”, shtoi ajo.

Të ngjashme