Në vitet ’30 të shekullit të kaluar, në kohën e Krizës së Madhe Ekonomike, shtetet e fuqishme të Perëndimit – Britania e Madhe, ShBA dhe Franca – merreshin me problemet brendshme, pa vrarë mendjen se çfarë po ndodhte në Gjermani, në Itali apo në Bashkimin Sovjetik, ku në emër të kthimit të shpresës dhe dinjitetit tek populli po sundonin diktatorët, si Adolf Hitleri, Bennito Musolini dhe Josif Stalini.
Pasi mori postin e kancelarit në janar 1933, gazetari Gareth Jones e intervistoi Hitlerin. Ai i njoftoi diplomatët britanikë se zëri i opozitës do të shuhej në Gjermani e se rrezikoheshin zërat kundër në shtetet tjera; paralajmëroi pra për një Luftë tjetër të Madhe, por nuk u mor seriozisht. “Hitleri do të mësojë se është një dallim shumë i madh nga menaxhimi i një proteste dhe administrimi i një kombi”, është një nga përgjigjet cinike që mori.
Të njëjtin vit Jones ishte zëri më i sinqertë e më i guximshëm për tmerrin që po ndodhte në Bashkimin Sovjetik: për Holodomorin – zinë e bukës që kishte kapluar Ukrainën duke lënë mbi shtatë milionë të vdekur, e ku për mbijetesë shfaqet kanibalizmi (ukrainasit i hanin madje edhe anëtarët e familjes). Por, sovjetikët që i kishin përqendruar të mirat në Moskë, të vetmin qytet ku lejoheshin të huajt, përmes propagandës dhe gazetarëve të shantazhuar perëndimorë – në mesin e të cilëve fituesi i Çmimit Pulitzer, Walter Duranty – ia dilte që komunizmin ta paraqiste si storje suksesi. Në këtë grackë ranë shumë intelektualë që mendonin se në Bashkimin Sovjetik po ndodhte eksperimenti më i madh e më i rëndësishëm në historinë e njerëzimit. Në mesin e tyre, deri-diku ishte edhe Goerge Orwell.
Regjisorja e njohur polake, Agnieszka Holland, në filmin e saj të parafundit, “Mr. Jones”, e lë një mundësi se Orwelli vë në pikëpyetje dilemat e tilla, pas takimit me gazetarin Jones (siç dihet, zhgënjimin më të madh ai e pësoi gjatë Luftës Civile në Spanjë). Orwelli më vonë do të njihet si një nga intelektualët më të guximshëm, si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit XX dhe si autor i veprave më të fuqishme kundër totalitarizmit – “Ferma e kafshëve” dhe “1984”. “Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa janë më të barabarta se të tjerat”, thotë ndër të tjera në “Fermën” e tij.
Sidoqoftë, në kohën e krizave të mëdha, qëndrimi i intelektualëve ka shumë rëndësi. Në vitet ’30 të shekullit të kaluar, qëndrimet e tyre të gabuara kanë shkaktuar huti të mëdha, aq sa u krijuan lëvizjet nazifashiste në vendet tjera, si Unioni Fashist Britanik apo Partia Popullore e Francës. Kështu, nga një krizë e neglizhencë, bota u fut në Luftën e Dytë Botërore e më vonë në Luftën e Ftohtë; nga një pushtim nazifashist në pushtim sovjetik – nga një shtypje në shtypjen tjetër.
Dëme të tilla – gjatë sulmeve të NATO-s mbi caqet ushtarake e policore serbe – kanë shkaktuar edhe qëndrimet e intelektualëve, si: Noam Chomsky, Harold Pinter, Peter Handke, Regis Debray, Alain Badiou, Michel Chossudovsky, Tariq Ali, Gilbert Achcar, Patrick Besson, Edward Said… Qëndrimet e tyre shpesh ishin më të poshtra se qëndrimet politike të Kinës apo kërcënimet e Rusisë.
Për fund, vlen të citohet intelektuali shqiptar Branko Merxhani, përfaqësuesi më eminent i neoshqiptarizmës, i cili në një shkrim të vitit 1937 – teksa kundërshtonte komunizmin – paralajmëronte se nga e keqja e krahasimi me të keqen, lind e keqja tjetër: “Në qoftë se punëtori ndodhet me të vërtetë në një gjendje mizerable, atëhere vetëm një efekt mund të ketë kjo ndodhje: Mizerja do të bëhet Ideologji dhe rryma revolucjonare e proletariatit do të shkojë duke u shtuar. Mirëpo një proletar mizerablë si do të jetë në gjendje të realizojë detyrat e larta që i ngarkon Marxi? Nga mizerja vetëm një gjë del: Mizerje!…”