Kur përbuzet policia, bandat kriminale marrin territor edhe hapësirë për veprim

Prishtinë | 30 Nën 2023 | 09:45 | Nga Driton Smakaj

Që nga paslufta nuk kemi dëgjuar për raste kriminale kaq të shpeshta në Kosovë. Vjedhje sikur në filma në pikë të ditës, plaçkitje e vrasje.

Dikur, kur këta pushtetarët e sotëm kanë qenë në opozitë, besoni edhe kur ndodhnin vërshime nga shiu, fajin ia linin qeverisë edhe pushtetit. Sot, militantët e partisë në pushtet, kanë ra në gjumë, po i shijojnë privilegjet edhe po heshtin.

Ndërsa opozita aktuale janë aq pasivë, saqë duket sikur nuk janë fare.

Faturën po e paguajnë qytetarët e vendit.

Përndryshe, asgjë nuk ndodh rastësisht. Prej aeroplanit shihen gjërat, kemi të bëjmë me një qeverisje jashtëzakonisht të dobët, janë shpenzuar mbi 8 miliardë euro në tri vite, nuk kemi parë asgjë konkrete që sjell zhvillim. Ikje masive të rinisë, zero investime të huaja që do të rriste punësimin e të rinjve, investimet kapitale më të ulëtat në historinë e re të Kosovës, e kjo automatikisht nënkupton më pak vende pune e më pak zhvillim. Në tri vite, tërë energjinë e kanë shpenzuar duke shitur broçkulla patriotike me targa të kerreve, e në anën tjetër duke përbuzur policinë, duke ua ndalua pagesën e rrezikshmërisë, e duke i demotivuar ata për punë.

Sa më shumë që përbuzet policia e një vendi, aq më shumë bandat kriminale marrin territor edhe hapësirë për veprim.

E kjo qeveri është kampione në përbuzjen e policisë, është kampione në keq-qeverisjen e vendit.

Cili polic i Kosovës do të ndihej i motivuar për punë, kur sheh pagën e Gani Jakupit që tregon fore nëpër kafenetë e Evropës?!?!?! E Gani Jakupi është veç maja e poshtërsive në shtresën e klasës politike të vendit.

Të ngjashme