Kur pritet vendimi për lirim me kusht të Hysni Gucatit, flet avokati i tij në Hagë

Prishtinë | 09 Tet 2020 | 15:54 | Nga Ekonomia Online

Dy krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj po vazhdojnë të mbahen qe dy javë në paraburgim në burgun e Hagës në Holandë.

Ndaj tyre është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës.

Por në seancë e parë ndaj Gucatit, avokati i këtij të fundit Jonathan Ellison Rees, ka ofruar 5 mijë euro garancion për lirimin e tij me kusht, meqë kreu i OVL-UÇK’së vuan nga disa sëmundje e madje ka probleme me lëvizshmëri.

Por tani gjendja shëndetësore e Gucatit është stabile. Këtë e ka konfirmuar për gazetën Objektiv avokati i Gucatit që ishte prezentë në seancë, Valon Hasani.

“Pas përfundimit të seancës gjyqësore të mbajtur pranë Dhomës së Specializuar te Gjykatës, z Gucati ka pasur disa shqetësime shëndetësore për të cilat i është dashur përkujdesje mjekësore. Për momentin gjendja shëndetësore e z Gucati është stabile mirëpo nën përkujdesje mjekësore”, tha Hasani.

Hasani tha se janë duke e pritur vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake për lirim me kusht të kreut të OVL-së për shkak të telasheve shëndetësore.

“Ne tani jemi duke pritur vendimin nga gjyqtari lidhur me kërkesën për vlerësimin e ligjshmërisë se arrestit dhe kërkesës për lirimin me kusht. Besojmë që vendimi mund të vije gjatë javës së ardhshme”, shtoi Hasani.

Edhe sekretar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Faton Klinaku, tha se Gucati tani është më mirë me shëndet.

Ai tha se në mëngjes ka biseduar me telefon me Nasim Haradinajn.

“Kom fol sot me Nasimin edhe më tha që po rrinë bashkë, mirë është me shëndet Hysni Gucati”, potencoi Klinaku.

Gazeta Objektiv ka pyetur Dhomat e Specializuara se kur pritet të merret vendimit për lirim ose jo me kusht të Hysni Gucatit, por nuk ka marrë përgjigje gjatë së premtes.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme