Xhudisti egjiptian Islam El Shehaby u vërshëllye në mënyrë tepër të zhurmshme gjatë Lojërave Olimpike të Rio de Janeiros, pas humbjes në raundin e parë kundrejt rivalit të tij izraelit, Or Sasson.
Vërshëllimat në fakt nuk erdhën si pasojë e ndeshjes, por sepse El Shehaby refuzoi të shtrëngonte duart me Sassonin, duke shkelur kështu kodin etik të sportit të xhudos.
Sasson e mposhti El Shehabyn pas vetëm dy hedhjesh, duke marrë fitoren automatike kur kishin mbetur edhe një minutë e gjysmë për t’u zhvilluar.
Më pas, El Shehaby qëndroi për pak minuta i shtrirë, përpara se të ngrihej e të vendosej aty ku i takonte në krah të Sassonit dhe gjyqtarit të ndeshjes. Kur Sasson i zgjati dorën, El Shehaby u zmbraps duke tundur ironikisht kokën.
Gjyqtari e thirri më pas El Shehabyn në tapet dhe e detyroi atë të përkulej. E sërish egjiptiani bëri një xhest me kokë në shenjë mosmiratimi. Ndërkohë pas sfidës, kur u pyet nga gazetarët, El Shehaby refuzoi të komentonte.
Lojtarët e xhudos, zakonisht përkulen apo i japin dorën njëri-tjetrit në fillim dhe në fund të një sfide, në shenjë respekti ndaj artit marcial me prejardhje nga Japonia.