Pakkush do të kishte besuar se Republika e Kosovës do të mbetej kaq gjatë pa Kuvend dhe Qeveri.
Krahasuar me vitet e kaluara, këtë herë kushtet për të krijuar këto dy institucione jetike të shtetit ishin
mjaft të favorshme. Me mirëkuptim dhe gatishmëri, që në muajin mars do të duhej të kishim
institucione funksionale.
Moskonstituimi i tyre mbetet papërgjegjësi politike dhe tradhti ndaj votuesve të Republikës së
Kosovës, përfshirë mërgatën tonë kudo në botë. Gjatë fushatës zgjedhore, kandidatët për deputetë u
paraqitën si engjëj dhe ëngjëllesha.
Vizituan edhe ata që edhe Zoti i kishte harruar. Folën ëmbël. Dhanë premtime. Garantuan parajsën.
Por, sapo siguruan mandatet, shumica prej tyre u shndërruan në lakmitarë pushteti. Interesi personal
dhe ai partiak u vendosën mbi gjithçka tjetër. Nuk është thënë kot: “Kur nuk ka harmoni dhe dinjitet
në shprehje, vijnë të pamerituarit dhe hipokritët.”
Mosmarrëveshjet e tri partive kryesore po shfrytëzohen në mënyrë të paskrupullt nga disa parti të
vogla që mezi e kaluan pragun zgjedhor.
Kjo indiferencë totale ka bërë që në këtë lojë të paskrupullt të përfshihen edhe përfaqësues të
komuniteteve.
Madje, ata po luajnë një lojë të shëmtuar e me kushtëzime aq të ndyta, sa të vijë për të vjellë. E gjitha
kjo po ndodh për shkak të servilizmit dhe pengesave të partive të mëdha dhe liderëve të tyre.
Ai që të ka tradhtuar një herë, apo dy herë, do të tradhtojë gjithmonë. Shpresojmë që në të ardhmen,
votuesi do të jetë syçelë dhe i kujdesshëm për cilin voton dhe kujt i jep besimin.
Deputetët tanë të papërgjegjshëm që shohin vetëm xhepat e tyre dhe interesat e klaneve, në të ardhmen
duhet t’i ndëshkojmë nëpërmjet votës. Kjo është e vetmja mundësi jonë.
Teket e tyre të çuditshme dhe të paarsyeshme tash katër-pesë muaj po i paguajnë qytetarët e
pafajshëm të Republikës së Kosovës.