Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj, ka pritur në takim zëvendësdrejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, nën-kolonelin Veton Elshanin, Komandantin e Stacionit Policor në Pejë, Nue Nikolla dhe Drejtorin e Drejtorisë se Inspektoratit në Komunën e Pejës, Leutrim Murtezaj.
Në vazhdën e lirimit të hapësirave publike të uzurpuara kundërligjshëm në komunën e Pejës , me iniciativën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj, sot është mbajtur takimi i radhës mes institucioneve përgjegjëse për koordinimin e veprimeve të mëtutjeshme për lirimin e të gjitha hapësirave publike të uzurpuara.
Si konkluzione nga ky takim u morën që brenda një afati të caktuar kohor të sigurohen nga institucionet përgjegjëse lista e të gjitha pronave publike të uzurpuara në mënyrë të kundërligjshme dhe njëkohësisht të vazhdohet monitorimi i hapësirave publike të liruara gjatë ditëve paraprake nga uzurpatorët.