“Kurrë mos e fyeni një grua…”, mesazhi përmes poezisë i Viktor Hygos! Koha kur nisi të frekuentojë rrethin e romantikëve të Parisit
Viktor Hygo konsiderohet “Babai i Romantizmit”. Ai lindi në Bezanson më 26 shkurt të vitit 1802, ishte dramaturg, poet dhe shkrimtar francez, “Poet Kombëtar i Francës” si dhe “Figurë dominuese në letërsinë franceze të shekullit XIX.”
Vitet e para të jetës Viktor Hygo i kaloi në shumë vende të ndryshme i detyruar me familjen për shkak të punës së babait, i cili ishte gjeneral në fushatat aktive napoleniane.
Në periudhën nga 1815 deri në 1818 Viktori frekuentoi për një periudhë, për të plotësuar dëshirën e atit, Politeknikun e Parisit, por shumë shpejt i la studimet teknike për t’iu dedikuar letërsisë drejt së cilës e shtyu e ëma.
Shkroi Odet, dhe këto ishin kompozimet e para letrare. Së bashku me vëllain Abel themeloi Konservatorin Letrar (1819); shkroi më pas Odet dhe poezi të ndryshme (1822) dhe shumë shkrime të tjera deri tek Odet dhe balada, që i vleu një rentë prej 1 mijë franga nga ana e mretit Luigji i XVIII.
Në 1823 u martua me Adele Foucher një shoqe fëmijërie; dasma u kremtua në kishën e Saint-Sulpice (në të njëjtën kishë ku u pagëzuan markezi François de Sade dhe Baudelaire). Në të njëjtën periudhë nisi të frekuentoje rrethin e romantikëve të Parisit mes të cilëve edhe atë të Charles Nodier.
Nga martesa me Foucher linden katër fëmijë: Leopoldinë, Charles, François-Victor e Adèle. Zbulimi, mbas disa vjetësh, e tradhtisë së të shoqes me mikun e familjes Sainte-Beauve, do ta çojë të bëjë një jetë të lirë; e dashura e tij për gati 50 vjet u bë Juliette Drouet, një aktore teatri të cilën e njohu gjatë provave të Lucrezia Borgia (1833). Drouet i qëndroi gjithmonë pranë pavarësisht e tradhtive të shumta të Viktorit.
Në 1827 shkruan dramën historike për teatrin Kromuell, ai që u konsiderua si manifestimi i teorive të reja romantike, ndërsa në 1830 u prezantua “Hernani” në Komedinë Franceze; prezantimi u ndërpre nga përplasjet mes mbështetësve të Hygos me disa horra.
Puna megjithatë iu njoh nga shefi i shkollës së re romantike. Vetë “Hernani” u kompozua me muzikë dhe u prezantua edhe nga Giuseppe Verdi (Ernani, 1844). Në 1841, Hygo bënte pjesë në Akademinë Franceze, ndërsa në 1831 u publikua “Notre-Dame de Paris”, i cili pati një sukses të menjëhershëm dhe të gjerë.
Në 1843 mbytet e bija Leopoldinë dhe dhëndri; Viktori e mori lajmin kur po kthehej nga pushimet duke e lexuar në gazetën “Siecle”. Tragjedia, e bashkuar me mos suksesin e punës teatrale “I Burgravi” në 1845, i shkaktoi një depresion të madh që do ta mbaje larg botës letrare për 10 vjet.
Në të njëjtin vit emërohet Par i Francës nga mbreti Lui Filipi i Orleansit. Në 1848 Hygo benë pjesë si deputet në Asamblenë Konstitutive, por grushti i shtetit i 1851 sjell në pushtet Napoleonin e III. Fillimisht, e mbështet, por pastaj – kur vetë nisi të sillet në mënyre antiliberale – vendos distancimin dhe e sulmon me shkrime dhe diskutime kundër varfërisë dhe shtypjes që bëhen ndërkohë gjithnjë e më pak të tolerueshme.
Këto kontraste e çuan Hygoin të arratiset në ishullin Guernsey, duke e shtrënguar kështu të jetojë në mërgim për 15 vjet.
Por, Hygo, gjatë mërgimit nuk pushoi kurrë së konsideruar nga francezet si babai i atdheut në mërgim.
Mbyllet kështu për të një periudhë e lumtur, edhe pse me kontraste të forta, dhe po hapej një tjetër në të cilën do të merrte forme figura mitike e tij në poetike që duhej më pas t’i dorëzohej traditës historike letrare.
Gjatë kësaj periudhe nuk iu kursyen fatkeqësitë: në 1855 vdes vëllai i tij Abel, në 1863 vajza e tij Adele çmendet dhe arratiset në Kanada, në 1868 vdes edhe e shoqja dhe disa nipër, por në të gjitha këto fatkeqësi do të këtë gjithmonë pranë besniken Zhuliet.
Impenjimi anti-monarkik e çoi në një publikim të ri dhe shumë më të mbyllur publicistik në favor të ideve demokratike. Rikthimi i tij në atdhe ndodh në 5 shtator 1870, pas mposhtjes së Napoleonit të III. U prit nga një turme brohoritese dhe entuziaste që kishte ardhur për të përshëndetur rikthimin e tij në Paris.
Shtëpia e tij behet sërisht vend pritjesh mes shkrimtaresh dhe ai rifitoi qetësinë duke rinisur prodhimin letrar me “Viti ‘93″ (1873); shkroi poezi të tjera, disa në lidhje me jetën e tij familjare si “Fëmijët e mi” (1874), dhe poezi të tjera satiro – politike si “Babai” (1887).
U rikthye sërisht të bëjë pjesë në Senat në 1876. Në 1878 goditet nga një kongjestion cerebral por kjo nuk e pengoi – pavarësisht së sëmundja e detyroi të pakësonte aktivitetin e tij – të çojë deri në fund “Torquemada” (1882), një vepër mbi fanatizmin e inkuizicionit që kishte nisur disa kohë më parë.
80-vjetori i tij u festua nga një turmë festuesish që i vendoste lule përpara shtëpisë; disa muaj më vonë do të goditej nga një zi e re, me vdekjen e besnikes së tij Zhulietë. Hygoi qëndroi për ta qarë në vetmi deri në 22 mars 1885, pra deri në vdekje, në shtëpinë e tij në Paris.
Trupi i tij u vendos për një natë nën Harkun e Triumfit dhe u shoqërua nga 12 poetë. Në ceremoninë e varrimit morën pjesë persona të ardhur nga çdo cep i Francës.
POEZI NGA VIKTOR HUGO
“KURRË MOS E FYENI NJË GRUA…”
Oh! kurrë mos e fyeni ju një grua që bie!
E di dot sa ka hequr? Sa ka vuajtur urie?
Sa net si ferr ka gdhirë në ankth e drithërim?
Virtytin kur ua tund Mjerimi me tërbim,
E kush nga ne s’ka parë të tillë gra të mjera
Si rreken që të mbahen, me ngulm, me duar të ndera?
Sikundër buzë degës shohim varur tek ndrin
Një pikë shiu si lot, kur dielli vetëtin,
Ç’e tundin tok me pemën e që dridhet, po mbahet,
Perlë, pa rënë akoma, dhe baltë, pasi ndahet!
Fajin e kemi ne. Ti kamës! Ari yt!
Po uji i pastër gjendet dhe aty në llom të ndyrë.
Dhe që kjo pikë loti të dalë nga ka rënë,
Të bëhet prapë perlë me atë shkëlqimin e parë,
Mjafton – Ja kështu rihet e ngrihet, pasi bie –
Një rreze dielli ose një rreze dashurie!
E DI QË TI MË PRET…
Ja, nesër, sa të gdhihet, sapo të zbardhë fusha,
Do nisem, e dëgjon? E di që ti më pret,
Mes pyllit do t’i bie dhe malit me gëmusha,
Larg teje s’mund të rri se ndarja po më tret.
Do të eci si në mjegull, në shpirt i përqendruar,
E zhurmë nuk do ndiej, s’do shoh asgjë që jashtë,
I vetëm, i kërrusur, me duart kryqëzuar,
Do ndiej veç dëshpërim e dita bëhet natë.
Ndaj mbrëmjes nuk do shoh prarim që gjurmë le,
Dhe vellon mbi Herflër nuk e vërej që larg.
E, kur të mbërrij atje, mbi varrin tënd do ve
Buqetë gjethegjelbër, me lule thurur varg.
“VAJTIMI”
O shtigje ku lirshëm valëvitet bari,
Lugina, kodra e ti pyll që oshtin!
Çfarë është me ju e gjithë kjo heshtje varri?!
Për atë që iku e jo më nuk ka kthim!
Po pse kjo dritare tash vonë rri e mbyllur?
Dhe pse ky kopsht rri i heshtur e i shkretë?
O shtëpi, ku është i zoti që gjithmonë miqtë i
ka pritur?
“Di vetëm që s’është e kurrë më s’do të jetë”.
E ti qen besnik, kush për ty do kujdeset?
S’ka dorë të të ushqejë më, këtu njeri s’ka.
Fëmija i gjorë qan e kërkon të atin
e vejushë e zezë e qan e mallkon fatin.
Si iku ai kështu në errësirë?
O dhimbje që godet pareshtur pamëshirë!
Ku shkoi vallë? S’përgjigjet asnjëri,
Veç zërit tim të trishtuar, një dhimbje, elegji…/
FJALA E FUNDIT
Ndërgjegjja njerëzore vdiq, qejf o qejf,
Përkulet mbi të, kufoma i pëlqen;
Fitimtar, me sytë e skuqur vjen vërdallë,
Pastaj kthehet i del kufomës përballë.
E ushqen kurvërimi i drejtësisë.
Priftat trullosin njerëzit e Perëndisë;
Pastaj rrëmojnë çantat të çakërritur;
Sibour* shiti zotin, që Juda pat shitur.
Na thonë: Qezari mbret. Zot i ushtrive
E zgjodhi. Binduni, bjerini burive!
Dhe duar bashkuar këndojnë në kisha,
Pa fshehur monedhat e arta ndër gishta.
Do ta shohim në fron këtë princ lipsar,
Me bekim nga papa, këtë mbret zuzar,
Në një dorë skeptrin, darët në tjetrën,
Karl i Madh sajuar, nga shejtani vetë.
Sa kohë atje do të zhgërryhet si derr,
Do të llupë besë, virtyt, fe dhe nder,
Dehur mbi lavdinë tonë do të vjellë;
Në ndëjçim ta shohim si diell në qiell.
Kur ndër njerëz shtohet sa s’mban, poshtërimi
Në atë pikë nis adhurohet mashtrimi;
Pastaj dalin tok Angli dhe Amerikë
Dhe i thonë mërgimtarit: Ik, kemi frikë!
Kur të bëhemi si kjo gjethe e tharë,
Të rilindemi, si ka qejf ky Qezar;
Kur të ligjtë të shkojnë derë më derë,
Ndër njerëz katandisur si zhele e mjerë;
Kur Zoti nga shkretinat qortime dërgon,
Preja nis gjuan, hajni vjen arreston;
Në fund, i trembur, më shumë se të tjerët,
Varri jashtë, të vdekurit do t’i nxjerrë.
Por unë s’thyhem! Pa bërë fare zhurmë,
Me brengë në zemër, do ta përbuz turmën,
Ju përqafoj, nga i hidhuri mërgim,
Atdhe, o altar! Liri, flamuri im!
E ruaj besën tuaj, o miq besnikë,
S’harroj, ç’na bashkoi, qe kjo Republikë.
Ata që vuajtën, do t’i lavdëroj,
Ata ç’u llastuan, do t’i poshtëroj!
Do të jetoj këtej, keq e mos më keq,
Ca zëra thonë: mos! të tjerë: fatkeq!
Kur servilët e tu Luvrin të rrëfejnë,
Unë ty, Qezar, do të t’rrëfej halenë.
Para tradhtarëve dhe atyre që s’flasin,
Gjithë pezm jam, por qetë, s’e shfaq marazin.
Besnikëria pa fund për ç’u rrëzua,
Qoftë mbështetja dhe fuqia për mua.