Kurrkund nuk flitet për demokracinë më shumë sesa në një vend ku s’ka demokraci. Kështu shpesh ngjet edhe në debatet tona.
Në postimin tim për Agim Veliun, njëri më qortonte: “Larg paske shku Liri! Fjala është e lirë!” Nëse fjala është e lirë pse më thua mua se kam shkuar larg? Kam shkuar aq larg sa e kam thënë mendimin tim, fjalën e lirë.
I njëjti person vazhdon me “ia paske futur kot”! Kaq është komenti i tij, në emër të fjalës së lirë. Ai nuk e di se “ia paske futur kot” nuk është fjalë e lirë. Është dhunim i fjalës së lirë.
Do me thënë mjaftuaka ta kritikosh një ministër për deklaratat e tij publike dhe të kualifikohesh si shkelës i fjalës së lirë.
Mbi këtë princip vazhdon “intelektuali” komentin e tij të gjatë që demek të bën pykë. Fol ti më në paç çka me folë! Ai qenka që e çmoka shumë fjalën e lirë e unë ai që i zinkam frymën asaj! Po sikur mos të kuptoja unë mirë të drejtën për fjalën e lirë, kah do ta merrja guximin të kritikoja politikanët aq shumë.
Ju që nuk guxoni ta bëni atë që bëj unë me fjalën a lirë, mos më flisni mua për fjalën e lirë. Sepse, nuk keni haber se ç’kuptim ngërthen fjala e lirë. Nuk e dini konceptin e saj.
Po, në demokraci çmohet fjala e lirë dhe çmohet shumë opinioni i secilit. Mirëpo kur ndertohet një platformë politike e veprimit, qoftë brenda një partie politike, qoftë brenda një qeverie, ajo duhet respektuar.
Fjala e lirë ështē derisa të arrihet një përfundim i përbashkët, tutje qëndrimet politike janë udhëzime pune, aty më nuk vlen fjala e lirë.
Nëse Kryeministri del me një qëndrim politik, ai qëndrim vlen për tërë qeverinë. Më nuk mund të dalë një ministër e ta thotë një gjë të kundërt në publik në emër të fjalës së lire.
Nuk mundet! Të qenit ministër është post i lartë në qeveri dhe nëse thua të kundërtën e asaj që thotë shefi yt, atëherë para opinionit shtrohen shumë dilema:
Qytetetari që të ka votuar dhe të paguan me taksën e tij, nuk ta ka borxh ta vësh në mjegull kur ka mundësi ta shijojë ditën me diell.
Qeveria është institucion ekzekutiv. Ajo ka dy faza të punës:
E para është krijimi i politikave, ku bëhen debatet, jepen idetë, kundërshtohen ato dhe në fund marrin formën e prerë.
Nga ai moment fillon faza e dytë e kjo fazë është zbatimi I politikave. Kryeministri më nuk pret që një ministër të dalë në publik me qëndrimet e tij personale, por me qëndrime institucionale. Një ministri të tillë, pra personit të tij, përseri nuk mund t’i grabitet fjala e lirë, por para se ta thotë qëndrimin e tij personal, ai duhet të japë dorëheqje në mënyrë që ta lirojë veten nga përgjegjësitë.
Nëse kjo nuk ka ndodhur para se të fliste, duhet ta denojë veten me dorëheqje pas deklaratave në publik.
Nëse nuk ka ndodh asnjëra as tjetra, atëherë mund të ndodh lirimi i tij nga përgjegjësitë, qoftë nga kryeministri, qoftë nga kryetari i partisë së tij politike. Pastaj ai ka një jetë të tërë për të qenë në shfrytëzim të fjalës së lirë.