Kurteshi i thur elozhe Kurtit, kërkon të largohen ata që s’kanë guxim të përballen

Prishtinë | 14 Jan 2018 | 14:54 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në mbledhjen e Këshillit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, i janë thurur lëvdata të shumta kandidatit të vetëm për kryetar të këtij subjekti politik, Albin Kurti.

Themeluesi i Vetëvendosjes dhe tashmë lideri i pakontestueshëm, Albin Kurti, ka marrë duartrokitje të gjata dhe lëvdata nga folësit në mbledhjen ku mungonin shumë nga figurat e tjera të Vetëvendosjes, e cila tashmë duket se po shkon drejt ndarjes.

Sekretari organizativ, Ismail Kurteshi, tha se Kurti është model se si do të duhet një aktivist të jetë i afërt me aktivistët e tjerë, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se të gjithë aktivistët e tjerë kanë pasur mundësinë të kandidojnë por këtë të drejtë e ka shfrytëzuar vetëm Albin Kurti.

“Për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje kanë pasur kushte të barabarta të gjithë të interesuarit që kanë dashur të kandidohen për kryetar dhe këtë të drejtë e ka shfrytëzuar vetëm njëri nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje e ky është aktivisti dhe deputeti Albin Kurti, i cili edhe është i njohur për të gjithë edhe është model për Lëvizjen në përgjithësi se si do të duhej një aktivist të jetë aktiv, të jetë i afërt me aktivistët dhe të veprojë bazuar në konceptin politik të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ai.

Kurteshi tha se se “ata që nuk kanë guxim të përballen me konkurrencën brenda partisë, duhet të largohen”.

Kjo është thirrja e parë për largim, prejse në Vetëvendosje janë bërë publike problemet.

Kurteshi theksoi se askush s’mund dhe s’duhet të jetë mbi statutin e organizatës.

“Me ardhjen e kryetarit të ri parashihet një lloj i riorganizimit të Vetëvendosjes. Strukturat e lëvizjes do të jenë më vitale, do të jenë më aktive, më të përgjegjshme dhe kështu do të jenë edhe më të pranueshme për qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët edhe ashtu shpresë të vetme e konsiderojnë Lëvizjen Vetëvendosje”, u shpreh Kurteshi.

Albin Kurti nisi dje prezantimin e platformës së tij për të drejtuar VV-në. Zgjedhjet do të mbahen më 21 janar.

Në mbledhjen e Këshillit të Qendrës së Prishtinës, nuk po merr kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ahmeti nuk ka qenë as dje në kur kandidati për kryetar Albin Kurti ka prezantuar platformën e tij udhëheqëse.

Po, ashtu prezantimin e djeshëm e kanë bojkotuar 16 deputetë të Vetëvendosjes, përfshirë ish-kryetarin Visar Ymeri, ish-sekretari Dardan Molliqaj, Dardan Sejdiu, Aida Dërguti, Fisnik Ismaili, Donika Kadaj-Bujupi, Driton Çaushi, Faton Topalli, Shqipe Pantina etj.

Sekretari organizativ, Ismail Kurtesh, u shpreh i bindur se Lëvizja Vetëvendosje do t’i tejkalojë mosmarrëveshjet.


Të ngjashme